Një nga analistët më të shquar gjermanë për Ballkanin, Johana Dajmel, tha për Radion Kombëtare Bullgare (BNR) se vetoja bullgare ndaj Shkupit kërcënon të gjithë projektin evropian të Ballkanit.
Dajmler, një ish-anëtare e bordit të drejtorëve në Shoqatën gjermane me ndikim për Evropën Juglindore në Munih, pyet veten se interesi i kujt është të bllokojë vendimin e zgjerimit të BE-së dhe çfarë sinjali po dërgon Unioni në Ukrainë, Moldavi dhe Gjeorgji.
Siç lajmëroi korrespondenti i MIA-s nga Sofja, sipas saj, bëhet fjalë për ndërhyrje ruse dhe se shpjegimi logjik i disa kolegëve të saj në Bullgari është se Moska është e përfshirë në kontestin mes Sofjes dhe Shkupit.
“Në asnjë rast nuk e mohoj që ka një interpretim tjetër të së shkuarës. Por në të njëjtën kohë, e kuptoj se kjo mosmarrëveshje dhe vetoja bullgare po rrezikojnë të gjithë projektin evropian të Ballkanit. Nuk mendoj se Bullgaria përfiton nga kjo. Anketat tregojnë se 63% e bullgarëve mbështesin sanksionet e BE-së kundër Rusisë. Kjo nuk do të thotë gjë tjetër veçse solidariteti evropian në Bullgari është i madh. Kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme tani. Pra, pyes veten pse pikërisht tani, kur padyshim kishte një shans për të gjetur një kompromis midis Sofjes dhe Shkupit, Sllavi Trifonov vendosi të largohej nga koalicioni? Kush përfiton nga kjo? Pse dikush po e fut Bullgarinë në një krizë qeveritare tani, kur ne po përballemi me vështirësi energjetike, ekonomike dhe politike? Për më tepër, pasi u bë e qartë se Maqedonia e Veriut është e gatshme të përmbushë një nga kërkesat kryesore të Bullgarisë – të përfshijë bullgarët si popull shtetformues në Kushtetutën e vendit? Mund të vijmë te paradoksi i heqjes së vetos, por nuk do të ketë qeveri që ta zbatojë këtë vendim në praktikë”, vlerëson Dajmel.
Ajo thekson se është ende një mosmarrëveshje mes dy vendeve anëtare të NATO-s dhe se është e qartë se marrëveshja mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut duhet të përmbajë kompromise.
“Fuqitë e mëdha perëndimore si Franca, Gjermania dhe SHBA po përpiqen të ndihmojnë në arritjen e një marrëveshjeje. Ndërhyrja e tyre synon të kufizojë ndikimin rus. Sepse destabilizimi i rajonit po e ndihmon Rusinë”, theksoi Dajmel për BNR.