Përfaqësuesja kuqezi fillon zyrtarisht këtë të hënë grumbullimin me të gjithë lojtarët pasi një pjesë e tyre kanë zhvuilluar ndeshjet me klubet e tyre ditën e diel dhe mëngjesin e së hënës janë nisur për në Barcelonë ku është grumbulluar edhe skuadra përfaqësuese e Shqipërisë.
Ende pa u bërë një analizë e plotë e gjendjes së lojtarëve, janë larguar dy prej tyre. Mbrojtësi i cili aktivizohet në kampionatin grek me Paok-un Enea Mihaj i cili ka rezultuar pozitiv me Covid 19 dhe si rrjedhojë është karantinuar dhe do të humbasë të dyja ndeshjet me Spanjën dhe Gjerogjinë, ndërkohë simptoma virozash ka shfaqur edhe mesfushri i Empolit Nedim Bajrami i cili gjithashtu do t’i humbasë këto ndeshje miqësore.
Në këto kushte trajneri Edoardo Reja ka vendosur të thërrasë në Kombëtare mbrojtësin Herdi Prenga, i cili po bën paraqitje të mira këtë sezon me skuadrën e Kisvárdas në Hungari dhe mesfushorin Endri Çekiçi.
Për Prengën është një rikthim pasi është grumbulluar edhe më parë me Kombëtaren A, ndërsa ka qenë pjesë edhe e Kombëtares U-21 në të kaluarën. Futbollisti do t’i bashkohet të hënën skuadrës në grumbullimin që do të nisë në Barcelonë. Ndërsa Çekiçi ka qenë rregullisht pjesë e kombëtares në ndeshjet e fundit.
Sipas programit pasditen e sotme do të zhvillohet edhe seanca e parë stërvitore në Spanjë për të parë më tepër gjendjen e të gjithë lojtarëve të grumbulluar, nëse do të ketë nevojë apo jo për rishikim. Ndeshja me Spanjën do të luhet në stadiumin e Espanyol më 26 mars ndërkohë që ajo me Gjerogjinë më 29 mars në Tiranë