Ky Milan-Napoli është një rikthim në të shkuarën. Mes dy skuadrave duket se është rikthyer rivaliteti i ethshëm i viteve 1980-1990. Ato që Billy Costacurta, një jetë te kuqezinjtë, me 24 trofe në “palmaresin” personal, sot komentator i “Sky” i kujton si më poshtë: “Sfidat mes këtyre dy skuadrave mbërrinin shpesh në fund të sezonit dhe prej andej kalonte titulli”.
Sot jemi vetëm në javën e 7-të të Serie A. Çfarë mesazhi mund të japë ndeshja Milan-Napoli?
Është ndeshja që të gjithë duam ta shohim, më të mirët e Serie A do të sfidojnë njëri-tjetrin, më të guximshmit. Napoli është i bukur dhe i fuqishëm.
Me sa kemi parë deri më tani, mendoj se blutë janë më bindësit e Champions League, së bashku me Manchester City. Milanin pa Leaon në fakt nuk e njohim. Do të jetë interesante të shohim se si Pioli do ta rregullojë formacionin e tij dhe çfarë peshe mund të ketë De Ketelaere në skuadër. Pas mbrëmjes së sotme do të mund të kuptojmë nëse Milani mundet ta fitojë edhe këtë edicion titullin.
Tani për tani përforcimi që shkëlqen më shumë është Kvaratskhelia…
Një djalë me cilësi të mëdha, tashmë vendimtar. Për një 21-vjeçar që sapo ka ardhur në Serie A, tashmë duket i strukturuar mirë mendërisht. Jam kurioz ta shoh kundër Calabria, të cilin e konsideroj një mbrojtës të nivelit ndërkombëtar. Një kundër një, Davide është ndër më të mirët në botë.
A do të vendoset ndeshja nga krahët?
Kvara nga njëra anë dhe Theo nga ana tjetër janë potencialisht shkatërrues. Sidoqoftë, kujdes duhet treguar edhe ndaj Raspadori e De Ketelaere. Fillimi i belgut ishte më pak shpërthyes se ai i Kvaratskhelia, por te Milani ka shumë shembuj të talenteve që kanë lulëzuar me kalimin e kohës. Kujtoni nga Leao te Tonali, ndaj duhet t’i jepni kohë. De Ketelaere po mban presionin e “San Siro”, dhe ky është tashmë një fillim i mrekullueshëm. Kushedi çfarë do të bëjë sonte…