Jugu i Shqipërisë është thuajse bosh edhe gjatë këtyre javëse që konsiderohen si kulmi i sezonit të turizmit në vend.
Shkaku i një realiteti të tillë kërkohet nga disa faktorë, të cilët lidhen me rritjen e madhe të çmimeve, largimin e të rinjve nga vendi, të cilët ishin vizitorët më të shumtë në jug, alternativat e tjera si Greqia apo Turqia, por edhe babëzia e pronarëve të restoranteve dhe bareve me çmimet e tyre të çmendura.
Kjo verë do të bëhet mësim për babëzinë e jugut, por duket se nuk rrinë pas edhe disa individë që kërcënojnë qytetarët në punë të vetë edhe në Golem. Gjatë ditëve të fundit në rrjetet sociale ka qarkulluar një video ku një i ri 30-vjeçar, i quajtur Fatjon Shehu sipas verifikimeve të bëra nga abcnews.al kërcënon me jetë një pushues i cili ka vendosur një karrige dhe po merr rreze disa metra para vendit ku ai kishte çadrat.
“Çohu ik nga këtu se të q* rracën, të marr me shpulla”, i thotë ai qytetarit, dhe në një moment përpiqet t’i marrë dhe celularin qytetarit që po përpiqej të filmonte situatën e pakëndshme, me të cilën po përballej.
Siç mëson gazetarja Aida Topalli, policia e ka marrë në pyetje Fatjon Shehun nga Kavaja, për të dhënë sqarimet në lidhje me ngjarjen në fjalë, e cila ka ndodhur disa ditë më parë. Siç ka konstatuar policia, përveç kërcënimit verbal dhe të sharave, i “forti” i Golemit nuk ka ushtruar dhunë fizike ndaj pushuesit që ishte në qejfin e tij. Materialet i janë referuar prokurorisë dhe “i forti” i Golemit është proceduar për prishje të rendit dhe qetësisë publike duke u ndjekur në gjendje të lirë.
Raste të tilla duhen ndjekur me përgjegjësi nga organet e rendit pasi personazhe si Mihal Kokëdhima, të rinjtë që ngritën pushuesit suedezë nga plazhi i Palasës, ky Fatjoni i Golemit dhe fatjonër të ngjashëm janë faqja e zezë e turizmit shqiptar.