Çka parasheh gjendja e jashtëzakonshme në Ukrainë?

Parlamenti ukrainas ka miratuar shpalljen e gjendjes të jashtëzakonshme në mbarë Ukrainën, derisa shteti po përballet me mundësinë e një ofensive ruse të shkallës së gjerë.

Më herët gjatë 23 shkurtit, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, propozoi vendosjen e gjendjes së jashtëzakonshme për 30 ditë, duke filluar nga 24 shkurti.

Gjendja e jashtëzakonshme do të jetë në fuqi në mbarë Ukrainën, me përjashtim të dy rajoneve lindore, ku një gjendje e jashtëzakonshme është në fuqi që nga viti 2014.

Gjendja e jashtëzakonshme lejon autoritetet që të vendosin kufizime për lëvizjen, mbajtjen e mitingjeve për partitë politike “në interes të sigurisë kombëtare dhe rendit publik”.

Po ashtu, ndalohen “materialet e informacionit që mund të destabilizojnë situatën në shtet” dhe po ashtu, ky vendim lejon Qeverinë që të vendosë kufizime të lëvizjes dhe të kryejë kontrolle.

Kjo masë, që u miratua nga ligjvënësit ukrainas, vjen në të njëjtën ditë me nisjen e evakuimit të diplomatëve rusë nga Kievi, teksa Uashingtoni ka shtuar paralajmërimet për shanset për një sulm rus.

Sjellja e forcave ruse “na shtyn të besojmë se potencialisht jemi afër një aksioni të shkallës së gjerë”, tha zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby.

“Forcat ruse po vazhdojnë që të grumbullohen më afër kufirit, gjë që i vendos ata në një gjendje më të avancuar gatishmërie për të vepruar. Ne besojmë se ata janë të gatshëm”, shtoi ai.

Presidenti rus, Vladimir Putin, përshkallëzoi tensionet pasi më herët gjatë kësaj jave njohu pavarësinë e dy rajoneve lindore ukrainase, Donjeck dhe Luhanks, që kontrollohen nga separatistët e mbështetur nga Moska. Po ashtu, Parlamenti rus ka miratuar kërkesën e Putinit për të lejuar përdorimin e forcës ushtarake jashtë vendit.

Gjatë pesë ditëve të fundit, situata e sigurisë në lindje të Ukrainës është përkeqësuar dhe ka raportime se në disa zona separatistët pro-rusë kanë intensifikuar fushatën e granatimeve.

Për shkak të granatimeve, Shërbimi për Emergjenca Shtetërore, tha se ka pezulluar përkohësisht punën në katër pikëkalime.

Ushtarët ukrainas në Novoluhanske në rajonin e Donjeckut i thanë Radios Evropa e Lirë se për shkak të granatimeve të rënda, më 23 shkurt janë goditur tre shtëpi, duke e lënë të vrarë një civil. Ushtarët në Novoluhanske dhe Horlivka thonë se granatimet janë bërë më sakta, gjë që sipas tyre, tregon për prezencën e ushtrisë ruse në zonat e kontrolluar nga separatistët.

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Princi Harry ankohet për shpifje kundër disa gazetave

Story i radhës

Largimi i rinisë dhe kriza identitare

Të fundit nga