Cilësi në shërbim të qytetarëve, DPA jo vetëm institucion arkivor, por edhe një kompleks i mirëfilltë kulturor

December 24, 2022
min lexim

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) ndryshon krejtësisht faqe, duke i dhënë trajtë një projekti novator dhe premtues.

Në një atmosferë të gëzueshme, me pjesëmarrjen e dhjetëra studentëve dhe nxënësve të Tiranës, u shpalos synimi për zgjatimin e DPA-së nga një institucion veçse arkivor drejt një kompleksi të mirëfilltë kulturor. Mes gjallërisë së të rinjve që janë pulsi i këtij kryeqyteti, u paraqit projekti që e shndërron DPA-në në një qendër shumë funksionale edukimi, duke i bashkëngjitur asaj një Muze Arkivor, një teatër/kinema të hapur dhe një hapësirë studimi rekreative.

Në këtë aktivitet, të zhvilluar në orën 18:00 në ambientet e oborrit rrethues të godinës qendrore të DPA-së, qenë të pranishëm zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe e Energjetikës, Znj. Belinda Balluku, kreu i DPA-së, Prof. Asoc. Dr. Ardit Bido, historianet Valentina Duka, Pranvera Dibra, Esmeralda Kolaneci dhe një grup akademikësh.

Fjala hapëse u mbajt prej Bidos, i cili zbuloi idetë thelbësore që qendrojnë pas ndërmarrjes së këtij projekti, disa prej teknikave interaktive të Muzeut Arkivor, si edhe ridimensionimin e hapësirës së jashtme të godinës së DPA-së me dy shërbime të reja. “Sikurse çdo fundvit, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave po bën një reflektim. Sivjet ndamë mendjen për të qenë së bashku me studentë për të prezantuar dy projekte madhore. Është Arkivi që duhet të shkojë pranë rinisë, me mediumet që duhen. Në praninë tuaj, studentë të nderuar, zëvendëskryeministrja Balluku, profesoresha, prezantojmë një projekt jokonvencional, i cili ka si lajtmotiv se Arkivi zotëron gjithçka. Përmes arkivave mund të prezantojmë jo vetëm historinë e vendit tonë, por edhe atë të jetës shoqërore të vendit. Në këtë hapësirë nuk kemi si qëllim vetëm studiuesit, por të gjithë qytetarët që përveçse ju ofrohet një alternativë kulturore, mund edhe të zbaviten.”- tha Bido.

Aktiviteti vijoi me fjalën e rastit të zëvendëskryeministres Balluku, e cila nënvizoi se Arkivat janë thelbësore për një shtet serioz, i cili duke iu referuar dhe mësuar nga e shkuara, do të bënte në të ardhmen atë që duhet. “Falënderoj Arditin me skuadrën e tij sepse punët e mira bëhen në skuadër. Pasioni është kyçi i suksesit në punët e mira. Thuhet se Arkivat janë tempujt e kujtesës. Megjithatë, unë do thoja se Arkivat janë bazat e një shteti serioz. Arkivat janë thelbësore për një shtet, ndaj edhe qeveria shqiptare duke nisur nga viti 2013 ka vënë në fokus Arkivën shqiptare, duke e ndryshuar cilësisht këtë fushë të rëndësishme të shtetit. Digjitalizmi është një kërkesë e përditshme, të cilës i jemi përgjigjur. Të mos harrojmë se të rinjtë janë ata që sjellin inovacionin. Mënyra se si ju jetoni, na detyron ne më të rriturve që t’ju përgjigjemi, duke sjellë modernizimin në disa sektorë. Arkivën e kemi parë gjithnjë me atë murin rrethues, ku askush nuk mund të afrohej, ndërkohë me këtë projekt, hapen dyert dhe qytetarët janë tashmë pjesë e Arkivës.”- u shpreh Balluku.

Në ambientet e Muzeut Arkivor, që pritet të hapë dyert së afërmi, vizitorët jo vetëm do të mund të mësojnë mbi të kaluarën e vendit, por do të arrijnë të vihen në kontakt me të. Thënë këtë, krahas qëllimit didaktik që ka prirë edhe përzgjedhjen rigoroze të materialeve historike të ekspozuara, Muzeut do të mund t’i qaset si risi grupmoshave të reja, në sajë të teknikave interaktive që ndërthurin novacionin me historinë dhe trashëgiminë dokumentare kombëtare. Ky muze do të ofrojë jo vetëm një alternativë kulturore për të rinjtë, por mund të shërbejë edhe si një pikë atraksioni për turistët.

Duke patur një formë kubike, Muzeu ka favorizuar një modelim simbolik të sipërfaqes së tij. Përgjatë dyshemesë, do të gjenden të shkruara në xham shprehje të shkurtra të personaliteteve shqiptare më të rëndësishme në histori, metaforikisht ekuivalente me themelet mbi të cilat ecim. Në qendër do të jenë të vendosur ekzibitorë elektronikë dhe joelektronike, të cilët do të tregojnë të kaluarën historike përmes një komponenti arkivor. Në kënd, do të gjenden ekzibitorë të tjerë që do të përcjellin histori njerëzore të shoqërisë sonë. Ndërsa, në formën e një ombrelle elektronike, do të shfaqen në pjesën e sipërme të dhëna mbi veprimtarinë e institucionit tonë.

Krahas kësaj ekspozite të përhershme, i është kushtuar një hapësirë e caktuar edhe ekspozitave të përkohshme, të cilat do të trajtojnë fenomene shoqërore, periudha dhe figura historike. Në këtë hapësirë mund të shfaqen me kërkesë (individuale apo në grup) kundrejt një pagese edhe ekspozitat e realizuara më parë nga DPA-ja.
I njëjti temp novator ka prirë edhe idenë për krijimin e hapësirës së studimit në natyrë dhe teatrit/kinemasë së hapur prej 150 vendesh. Në koherencë me tipologjinë e muzeut, edhe këto dy shërbime pleksin qëllimet edukuese me aktivitetet zbavitëse për studiuesit dhe për të rinjtë.

GAZETA.MK

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Messi do ta fitojë Topin e Artë

Story i radhës

Don Lush Gjergji: Ibrahim Rugova për mua është i gjallë, komunikoj vazhdimisht për çdo ditë me të…

Të fundit nga

ShkoLartë