Cilat janë planet e Rusisë dhe Kinës për një rend të ri botëror

Aleanca perëndimore e ka kërcënuar Kremlinin me vendosjen e sanksioneve “të mëdha” dhe “të pashembullta”, në rast se Rusia e sulmon Ukrainën. Por ndërsa kriza e Ukrainës po arrin “pikën e vlimit”, përpjekjet e Perëndimit për ta izoluar dhe ndëshkuar Rusinë, ka të ngjarë që të dëmtohen nga mbështetja e Kinës, fqinjes gjigante të Rusisë.

Kur Vladimir Putin do të shkojë më 4 shkurt në Pekin, për të marrë pjesë në ceremoninë e fillimit të Lojërave Olimpike Dimërore, presidenti rus do të takojë atje udhëheqësin që është bërë aleati i tij më i rëndësishëm, presidentin kinez Xi Jinping.

Gjatë një bisede telefonike mes të dyve në dhjetorin e vitit të kaluar, udhëheqësi kinez e mbështeti kërkesën e Rusisë, se Ukraina nuk duhet të anëtarësohet kurrë në NATO. Deri një dekadë më parë, një marrëdhënie e tillë dukej e pamundur, pasi Kina dhe Rusia ishin sa partnere aq edhe rivale.

Por pas një periudhe kur të dyja vendet janë përplasur vazhdimisht me SHBA-në, mbështetja e Xi-së për Putinin, pasqyron një afërsi në rritje midis interesave dhe pikëpamjeve botërore të Moskës dhe Pekinit. Sipas mediave kineze, Xi i tha ndër të tjera Putinit, se “forca të caktuara ndërkombëtare po ndërhyjnë në mënyrë arbitrare në punët e brendshme të Kinës dhe Rusisë, nën pretekstin e demokracisë dhe të drejtave të njeriut”.

Siç e bënë të qartë komentet e Xi drejtuar Putinit, udhëheqësit rusë dhe kinezë janë të bashkuar nga bindja e përbashkët, se SHBA-ja po komploton për të sabotuar dhe përmbysur qeveritë e tyre. Në kulmin e komunizmit, Rusia dhe Kina mbështetën forcat revolucionare në mbarë botën.

Por sot Moska dhe Pekini kanë përqafuar retorikën e kundër-revolucionit. Kur shpërthyen trazirat në Kazakistan javët e fundit, Putin e akuzoi hapur SHBA-në se është përpjekur

të sponsorizojë një “revolucion me ngjyra” – një term me të cilin  përshkruhen  lëvizjet protestuese që kërkojnë të ndryshojnë qeverinë – pikërisht në një vend që kufizohet me Rusinë dhe Kinën.

Ministrat kryesorë të qeverisë kineze, i bënë jehonë këtyre komenteve. Sipas këndvështrimit të Rusisë dhe Kinës, kryengritja në Kazakistan i përshtatej këtij modeli. Kremlini ka argumentuar prej kohësh se SHBA-ja ka qenë “dora e fshehur’”pas kryengritjes në Ukrainë, në të ashtuquajturin Revolucion i Maidanit gjatë viteve 2013-14, në të cilin u rrëzua nga pushteti një udhëheqës pro-rus.

Ndërkohë Kina këmbëngul se forcat e huaja – kryesisht SHBA – qëndronin pas protestave të mëdha në Hong Kong gjatë vitit 2019, të cilat përfundimisht u shtypën me dhunë nga Pekini. Si Putin ashtu edhe Xi, e kanë bërë të qartë se besojnë se synimi përfundimtar i Amerikës është të rrëzojë qeveritë aktuale ruse dhe kineze, dhe se forcat lokale pro-demokratike janë “Kuaj Troje” të Amerikës.

Në vitin 1917, presidenti amerikan Ëoodroë Ëilson foli për “bërjen e botës të sigurt për demokracinë”. Në vitin 2022, Putin dhe Xi janë të vendosur ta bëjnë botën të sigurt për autokracinë. Megjithatë ambiciet e Rusisë dhe Kinës, janë larg nga të qenit tërësisht dhe vetëm mbrojtëse.

Si Putin ashtu edhe Xi, besojnë se cenueshmëria e tyre ndaj “revolucioneve shumëngjyrëshe”, buron nga të metat themelore të rendit botëror aktual, nga kombinimi i institucioneve, ideve dhe strukturave të pushtetit, të cilat përcaktojnë se si zhvillohet politika globale.

Rrjedhimisht, ata ndajnë së bashku vendosmërinë për të krijuar një rend të ri botëror, i cili do t’i përshtatet më mirë interesave të Rusisë dhe Kinës, siç përcaktohet edhe nga udhëheqësit e tyre aktualë.

Dy tipare të rendit botëror aktual, që kundërshtojnë shpesh rusët dhe kinezët, janë “unipolariteti” dhe “universaliteti”. Thënë më thjesht:ata besojnë se marrëveshjet aktuale ndërkombëtare i japin shumë pushtet Amerikës, ndaj ata janë të vendosur ta ndryshojnë këtë realitet.

“Unipolariteti” nënkupton faktin se pas shembjes së Bashkimit Sovjetik, bota mbeti me vetëm një superfuqi, SHBA-në. Analisti rus i politikës së jashtme, Fyodor Lukyanov, i cili është shumë i afërt me presidentin Putin, beson se unipolariteti “i dha Shteteve të Bashkuara aftësinë dhe mundësinë, për të bërë gjithçka që e sheh të arsyeshme në skenën botërore”.

Ai pretendon se epoka e re e hegjemonisë amerikane, nisi që nga lufta e Gjirit Persik e vitit 1991, në të cilën SHBA ndërtoi një koalicion global, për të dëbuar nga Kuvajti ushtrinë irakiane të Sadam Husein.

Ajo luftë u pasua nga një sërë ndërhyrjesh ushtarake të udhëhequra nga SHBA në mbarë botën, përfshirë ato në Bosnje dhe Kosovë në vitet 1990. Bombardimi nga NATO i Beogradit, kryeqytetit të Serbisë, në vitin 1999, ka qenë prej kohësh pjesë e argumentit të Rusisë, se aleanca perëndimore nuk ka vetëm një mision mbrojtës.

Fakti që bombat e NATO-s ranë edhe mbi ambasadën kineze në Beograd, nuk është harruar ende në Pekin. Pas sulmeve terroriste të 11 Shtatorit 2001 në Nju Jork dhe Uashington, NATO evokoi Nenin 5 – klauzolën e saj të mbrojtjes reciproke – dhe pushtoi Afganistanin. Sërish sipas Lukyanov, Amerika dëshmoi vullnetin dhe aftësinë e saj për ta “transformuar botën përmes forcës”.

Por disfata e Amerikës në Afganistan, e simbolizuar nga tërheqja kaotike nga Kabuli verën e vitit të kaluar, i ka nxitur rusët të shpresojnë se rendi botëror i udhëhequr nga SHBA-ja është duke u shembur. Lukyanov mendon se rënia e Kabulit në duart e talebanëve, ishte “jo më pak historike dhe simbolike, sesa rënia e Murit të Berlinit”.

Analistët kinezë më me ndikim janë në të njëjtën linjë me atë rusë. Yan Xuetong, dekan i shkollës së marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin Tsinghua në Pekin (këshilltari i ngishte i Xi) shkruan se “Kina beson se ngritja e saj në statusin e fuqisë së madhe, i jep të drejtën të pretendojë një rol të ri në çështjet botërore, i cili nuk mund të pajtohet me dominimin e padiskutueshëm të SHBA-së.”

Për Rusinë dhe Kinën, krijimi i një rendi të ri botëror, nuk është thjesht një çështje e fuqisë së ashpër, por edhe një betejë idesh. Ndërsa tradita liberale perëndimore, promovon idenë e të drejtave universale të njeriut, mendimtarët rusë dhe ata kinezë, përhapin argumentin se traditat kulturore dhe “civilizimet” e ndryshme, duhet të lejohen që të zhvillohen në mënyra të ndryshme.

Pekini dhe Moska, pretendojnë se rendi botëror aktual, karakterizohet nga një përpjekje e SHBA-së për t’i imponuar vendeve të tjera idetë perëndimore për demokracinë dhe të drejtat e njeriut, nëse është e nevojshme edhe përmes ndërhyrjes ushtarake.

Ndërkohë, rendi i ri botëror që po kërkojnë të ndërtojnë Rusia dhe Kina, do të bazohej në sfera të ndryshme të ndikimit. Sipas vizionit t tyre, SHBA-ja do të duhej të pranojë dominimin rus dhe kinez në rajonet përreth tyre, dhe duhej të braktisë mbështetjen e saj për demokracinë ose revolucionet me ngjyra që mund të kërcënojnë regjimet e Putinit apo Xi.

Kriza ukrainase, është në fakt një luftë mbi rendin e ardhshëm botëror. Për Putin, Ukraina është kulturalisht dhe politikisht pjesë e sferës së ndikimit të Rusisë. Nevojat ruse për siguri, duhet t’i japin asaj të drejtën për të vendosur veton kundër çdo dëshirë të Ukrainës, për t’u bashkuar me NATO-n dhe aleancën perëndimore.

Por nga ana tjetër për SHBA-në, kërkesa të tilla shkelin disa parime bazë të rendit aktual botëror, dhe sidomos të drejtën e një vendi të pavarur për të përcaktuar politikën e tij të jashtme dhe zgjedhjet strategjike. Kriza ukrainase ka lidhje me “rendin botëror”, pasi ka pasoja të qarta globale.

SHBA-ja e di shumë mirë se nëse Rusia e sulmon Ukrainën dhe krijon “sferën e saj të ndikimit”, do të krijohet një precedent për Kinën. Gjatë epokës së Xi, Kina ka ndërtuar baza ushtarake në të gjithë zonat e kontestuara në Detin e Kinës Jugore.

Kërcënimet e Pekinit për të pushtuar Tajvanin – një ishull autonom me një regjim demokratik, të cilin Kina e konsideron si një provincë rebele – janë bërë më të hapura dhe më të shpeshta.

Nëse Putin ia del të pushtojë Ukrainën, tundimi i Xi-së për të sulmuar Tajvanin do të rritet, ashtu si edhe presioni i brendshëm ndaj udhëheqësit kinez nga nacionalistët, që ndjejnë “fundin” e epokës amerikane.

Një rend i ri botëror, mund të shfaqet edhe përmes pranimit të heshtur nga Uashingtoni. Por ky rezultat nuk duket shumë i mundshëm me administratën Biden në pushtet, përveçse nëse do të ketë disa lëshime dramatike të minutës së fundit nga SHBA-ja në lidhje me Ukrainën.

Por edhe nëse Putin nuk ia arrin dot synimet e tij në Ukrainë, kërcënimi ndaj rendit botëror të udhëhequr nga SHBA nuk do të zhduket. Ai do të vijë me siguri nga një Kinë në rritje, e udhëhequr nga një president ambicioz si Xi Jingping.

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Era Istrefi me foto seksi dhe stil të ri të flokëve

Story i radhës

OBSH-ja kundërshton heqjen e menjëhershme të masave kufizuese

Të fundit nga

AlbanianMacedonianEnglish