Sot filloi zbatimi i marrëveshjes për dokumentet e udhëtimit midis Kosovës dhe Serbisë. Pra lëvizja e qytetarëve të të dy vendeve iu rikthehet normalitetit, njësoj si me vemdet e tjera, siç ndodh midis vendeve të pavarura e sovrane. Por ministria e Jashtme e Rusisë ka reaguar, duke thënë se “shqiptarët nuk pranojnë kompromis për t’ia shpëtuar fytyrën Vuçiq”. Këtë e shpreh Russia Today. Por jo vetëm kaq, në reagimin e ministrisë së Jashtme ruse thuhet gjithashtu se “Rusia nuk do të pranojë një marrëveshje midis palëve, për të cilën populli serb nuk është dakord”!
Ky qëndrim i shpallur tashmë publikisht zevendëson politikën e deri-tashme të Kremlinit, sipas të cilit, “çdo marrëveshje, për të cilën Serbia (shteti) është dakord, Moska do ta mbështesë”! Kapërcimi nga Serbia (shteti) te “populli serb” është një lojë politike, me të cilën paralajmërohet se presidenti rus, Vladimir Putin, nuk do ta mbështesë një marrëveshje me njohje të ndërsjelltë midis Kosovës dhe Serbisë. Po çfarë do të thotë kjo?
Kjo do të thotë se Rusia do të vazhdojë të vendosë veton e saj në Këshillin e Sigurimit për pranimin e Kosovës në OKB dhe se ajo do të kundërshtojë çdo përpjekje të anëtarësimit të saj në organizatat ndërkombëtare ku bën pjesë. Bllokimi me veto në Këshillin e Sigurimit nxjerr probleme dhe shqetësime të mëtejshme, sepse do të duhet që pranimi i Kosovës në OKB të kalojë nga Asambleja e Përgjithshme e saj, ku do të duhen më shumë se dy të tretat e votave të shteteve anëtare. Edhe në këtë rast Kosova do të bëhej pjesë e qeverisë botërore pa të drejtë vote.
Por Rusia nuk dëshiron që Kosova të zgjidhë konfliktin me Serbinë për arsyet e saj gjeopolitike. Ajo shpreson se në rrethana të favorshme do të mundë ta destabilizojë rajonin e Ballkanit, ndërkohë që zgjidhja e konflikteve në këtë rajon e pamundëson ëndërrën e saj për influencë, ndikim dhe hegjemoni. Ky është shkaku kryesor pse politika dhe diplomacia ruse dëshiron grindje dhe konflikte permanente në rajonin tonë. Dhe kjo është e duhet të jetë arsye e mjaftueshme që shtetet ballkanike të bashkohen në rrugën e integrimeve euro-atlantike.
Pretendimi rus se “nuk do të pranojë diçka për të cilën “populli serb” nuk është dakord”, në fakt është një spekullim i pastër. Vetëm përmes kësaj formule politika ruse mund të ruajë për gjatë alibinë e qëndrimeve të saj kundër Kosovës, kundër shqiptarëve dhe kundër stabilitetit, paqes e sigurisë në rajonin e Ballkanit. Sepse nëse populli serb e pranon ose jo një verdikt të qeverisë së saj, këtë nuk e provon e aq më pak e vendos një vend tjetër, një shtet tjetër, qoftë kjo edhe Rusia. Në të vërtetë me këtë qëndrim Kremlini shpreh arrogancën e tij për të kontrolluar dhe diktuar vullnetin politik te popujt e vendet e tjera, në rastin konkret Serbisë.
Por unë shoh edhe një sinjal tjetër: Duket se Vuçiq ka vendosur t’i bindet vullnetit amerikan për zgjidhjen përfundimtare të konfliktit me Kosovën. Si lëshim ndaj tij, amerikanët po i premtojnë atij mbështetje për “Ballkanin e Hapur”, si dhe integrimin europian! Por në fakt integrimi europian e nxjerr jashtë loje Open Balkans. Ndërkohë që presidentit të Serbisë i duhet të ndërtojë një kabinet qeveritar pro-perendimor! Sa do t’ia arrijë kësaj, mbetet për t’u parë. Por Aleksandër Vulin në Moskë duket se e ka denoncuar shefin e tij për “tradhti” ndaj saj! Ndryshe nuk kishte si të vihej te deklarata e mësipërme e ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë.
Megjithatë pritet që Rusia të dështojë me turp në fushatën e saj ushtarake për pushtimin e Ukrainës dhe në këtë rast do të ndryshonin të gjithë ekuilibrat. Ajo nuk do të jetë më një fuqi me ndikim global. Kjo mund t’i kushtojë edhe daljën nga Këshilli I Sigurimit. Dalja nga ky këshill do të ishte i sigurt, nëse presidenti rus, Vladimir Putin, do të përdorte armët e dëmtimit në masë kundër Ukrainës ose ndonjë vendi tjetër. Ndërsa mospërdorimi I këtyre armëve do të thotë humbje e luftës, si dhe rënie e pashmangshme nga pushteti!