Presidenti rus Vladimir Putin uli zyrtarisht pragun për përdorimin e armëve bërthamore nga Rusia. Ky vendim pason vendimin e Presidentit amerikan Joe Biden për të lejuar Ukrainën të godasë objektivat brenda territorit rus me raketa amerikane me rreze të gjatë veprimi.
Vendimi lejon një kundërpërgjigje të mundshme bërthamore nga Moska edhe ndaj një sulmi konvencional ndaj Rusisë nga ndonjë shtet që mbështetet nga një fuqi bërthamore.
Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se Ukraina gjuajti gjashtë raketa ATACMS, prodhim amerikan, të martën në një objekt ushtarak në rajonin rus Bryansk, afër kufirit me Ukrainën. Ministria ruse shtoi se mbrojtja ajrore ruse rrëzoi pesë prej tyre dhe dëmtoi një tjetër.
Pavarësisht se doktrina parashikon një përgjigje të mundshme bërthamore nga Rusia ndaj një sulmi të tillë konvencional, formulimi i saj është shumë i gjerë, për të mos e bërë të detyruar përdorimin e armëve bërthamore dhe i ofron mundësinë Presidentit Putin që t’i mbajë opsionet të hapura.
Miratimi i dokumentit tregon gatishmërinë e presidentit rus për të shfrytëzuar arsenalin e tij bërthamor për të detyruar Perëndimin të tërhiqet, ndërsa Moska vazhdon ofensivën e cila po përparon me hapa të ngadaltë në Ukrainë. Lufta në Ukrainë ka filluar para 1000 ditësh.
I pyetur të martën nëse një sulm ukrainas me raketa amerikane me rreze të gjatë mund të shkaktojë një përgjigje bërthamore, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov u përgjigj pozitivisht. Ai përmendi dispozitën e doktrinës që mban derën hapur për këtë si përgjigje ndaj një sulmi që kërcënon “sovranitetin dhe integritetin territorial të Rusisë dhe aleatit të saj, Bjellorusisë”.
Duke komentuar nëse doktrina e re u publikua qëllimisht pas vendimit të Presidentit Biden, zoti Peskov tha se dokumenti u publikua “në kohën e duhur”. Ai shtoi se Presidenti Putin udhëzoi qeverinë ta ndryshonte doktrinën në fillim të këtij viti, në mënyrë që të jetë “në përputhje me situatën aktuale”.
Presidenti Putin njoftoi për herë të parë për ndryshime në doktrinën bërthamore në muajin shtator. Ai ka paralajmëruar më parë Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre të NATO-s, se lejimi i Ukrainës për të përdorur armë me rreze të gjatë të furnizuara nga Perëndimi, për të goditur territorin rus, do të thotë se Rusia dhe NATO janë në luftë.
Uashingtoni e lejoi Ukrainën t’i përdorë armët me rreze të gjatë për të goditur objektiva brenda Rusisë, pasi mijëra trupa të Koresë së Veriut u vendosën në rajonin rus të Kurskut për të luftuar kundër forcave ukrainase.
Kryeministri britanik Keir Starmer e dënoi doktrinën e rishikuar bërthamore si “shembullin më të fundit të papërgjegjshmërisë” nga “qeveria e shthurur ruse”, sipas zëdhënëses Camilla Marshall.
“Rusia është ajo që vazhdon të përshkallëzojë këtë luftë dhe përdorimi i trupave të Koresë së Veriut është vetëm shembull i kësaj”, tha zonja Marshall. “Ai mund t’i tërheqë trupat e tij, t’i kthejë tanket në Rusi dhe t’i japë fund sulmit dhe gjakderdhjes së panevojshme si në Ukrainë ashtu edhe në Rusi. … Ne ia kërkojmë ta bëjë këtë.”
Doktrina e përditësuar thotë se një sulm kundër Rusisë nga një fuqi jobërthamore me “pjesëmarrjen ose mbështetjen e një fuqie bërthamore” do të shihet si “sulmi i tyre i përbashkët ndaj Federatës Ruse”.
Doktrina thotë se çdo sulm masiv ajror ndaj Rusisë mund të nxisë një përgjigje bërthamore, por shmang bërjen e këtij vendimi të domosdoshëm.
Dokumenti gjithashtu thekson se agresioni kundër Rusisë nga një vend anëtar i një blloku ushtarak shihet si “agresion nga i gjithë blloku”, një referencë e qartë për NATO-n.
Doktrina e re megjithatë ofron më shumë detaje, krahasuar me versionet e mëparshme, për kushtet që duhet plotësuar për përdorimin e armëve bërthamore. Ajo vë në dukje se armët bërthamore mund të përdoren në rast të një sulmi masiv ajror që përfshin raketa balistike, të lëshuara nga anijet, avionët, dronët dhe mjete të tjera fluturuese.
Formulimi duket se zgjeron ndjeshëm listën e shkaktarëve për përdorimin e mundshëm të armëve bërthamore në krahasim me versionin e mëparshëm të dokumentit. Versioni i mëparshëm thoshte se Rusia mund ta përdorte arsenalin e saj atomik në rast të një sulmi me raketa balistike.
Presidenti Alexander Lukashenko, i cili ka sunduar Bjellorusinë për mbi 30 vjet dhe është mbështetur në subvencionet dhe mbështetjen ruse, e ka lejuar Rusinë të përdorë territorin e vendit të tij për të dërguar trupa në Ukrainë dhe për të vendosur disa nga armët bërthamore ruse.
Që kur Presidenti Putin dërgoi trupa në Ukrainë, ai dhe zyrtarë e analistë të tjerë rusë, e kanë kërcënuar shpesh Perëndimin me arsenalin bërthamor të Rusisë për ta dekurajuar atë që të rrisë mbështetjen për Kievin.
Për muaj të tërë në Rusi ishin shtuar kërkesat për forcimin e doktrinës, duke argumentuar se versioni i mëparshëm nuk arriti të pengonte Perëndimin nga shtimi i ndihmës për Ukrainën, si dhe krijoi përshtypjen se Moska nuk do t’i përdorte armët bërthamore./VOA
Burimi: botasot.info