Emiratet e Bashkuara Arabe kanë njoftuar tërheqjen e tyre nga OPEC dhe nga kuadri më i gjerë i OPEC+, duke shënuar largimin e një prej aktorëve më të rëndësishëm në tregun global të energjisë.
OPEC (Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës) është një organizatë ndërqeveritare e krijuar në vitin 1960, me seli në Vjenë, e cila bashkon vendet kryesore prodhuese të naftës me qëllim koordinimin e politikave të prodhimit dhe ndikimin në stabilitetin e çmimeve në tregun botëror. Ndërsa OPEC+ është një zgjerim i këtij grupi, i krijuar në vitin 2016, ku përfshihen edhe vende të tjera prodhuese të mëdha si Rusia, për të menaxhuar së bashku furnizimin global të naftës.
Së bashku, këto dy struktura kontrollojnë një pjesë të konsiderueshme të prodhimit botëror të naftës dhe kanë ndikim të drejtpërdrejtë në çmimet ndërkombëtare të energjisë.
Vendimi i Emirateve të Bashkuara Arabe për t’u tërhequr nga OPEC dhe OPEC+ vjen në një moment tensionesh të larta në tregjet globale të energjisë dhe lidhet me synimin e vendit për t’u fokusuar në “interesat kombëtare” dhe për të pasur më shumë fleksibilitet në politikat e prodhimit të naftës.
Abu Dhabi është një nga prodhuesit kryesorë të naftës me kapacitet të madh prodhimi dhe rezervash, dhe prej kohësh ka shfaqur dëshirë për të rritur prodhimin përtej kuotave të përcaktuara nga OPEC.
Ky hap shihet edhe si një përplasje e gjatë brenda organizatës për politikat e prodhimit dhe për mënyrën e menaxhimit të tregut global të naftës, ku shpesh vendet anëtare nuk kanë rënë dakord për nivelin e kuotave.
Në thelb, largimi i Emirateve të Bashkuara Arabe pritet të ndryshojë balancat brenda OPEC dhe OPEC+, duke e bërë më të fragmentuar koordinimin e prodhuesve të mëdhenj të naftës në botë, shkruan Al Jazeera.
Burimi: botasot.info


