Çfarë ilaçesh blenë shqiptarët gjatë pandemisë

March 5, 2022
min lexim

Pandemia ka nxitur konsumin e një baze të gjerë produktesh farmaceutike që përfshin grupin e suplementeve, vitaminave, antibiotikëve, kortizonikëve, antikoagulant (hollues të gjakut), antiulcerozët, antiinflamatorët, antidepresantë, antiulcerozë etj., dhe një sërë preparatesh të tjera mjekësore që nevojiten për trajtimin e pandemisë.

Vitaminat

Në pikat e pakicës, më të shiturat këtë vit kanë qenë suplementet dhe vitaminat. Shitjet e tyre ishin me rritje gjatë gjithë vitit, ndryshe nga produktet e tjera. E gjithë popullata, edhe ata që nuk janë infektuar me koronavirus, ka konsumuar vitamina, për të krijuar mbrojtje dhe për të rritur imunitetin kundër virusit.

Në grupin e suplementeve, më e shitura ishte vitamina C, vitamina D, zinku dhe një seri kompleksesh me vitamina miks. Konsumi i vitaminave dhe suplementeve ishte shndërruar në një trend vitet e fundit edhe në vendin tonë.

Njerëzit janë bërë më të vëmendshëm ndaj trajtimit shëndetësor dhe po konsumojnë më shumë vitamina. Farmacisti Emil Qirko tha, se pandemia e rriti në mënyrë jo të zakontë shitjen e vitaminave. Ky trend do të vijojë deri sa të gjendet një vaksinë, ose një kurë përgjegjëse për koronavirusin, tha ai.

Grosistët pohuan se Shqipëria ka ende një konsum të ulët për frymë të suplementeve dhe produkteve farmaceutike në tërësi, në raport me rajonin, si një tregues i zhvillimit ekonomik të vendit. Ai tha se ka vend për rritje të mëtejshme, sidomos në drejtim të konsumit të suplementeve.

Kortizonikët

Pas suplementeve, shitje jo të zakontë këtë vit kanë pasur edhe kortizonikët, të cilët janë pjesë e trajtimit bazë të të infektuarve me COVID. Së fundmi, virusi ka përhapje komunitare.

Shumë persona po diagnostikohen me radiologji, duke shmangur tamponin, kështu që numri i të prekurve dhe i trajtuar me kortizon është më i lartë se raportimet. Mjeku pneumolog Luan Dyrmishi, tha se kortizonikët janë pjesë bazë e protokollit të trajtimit te të sëmurët me simptoma të zhvilluara. Farmacistët pohojnë se gjatë kësaj periudhe ka pasur rritje jo të zakontë të shitjeve të deksametazonit, prednizolonit dhe medrolit.

Antikoagulantët

Holluesit e gjakut, ose antikoagulantët , janë një tjetër grup produktesh që kanë shënuar rritje jo të zakontë për shkak të pandemisë. Protokollet mjekësore e rekomandojnë konsumin e të prekurve mbi moshat 40 vjeç. Koronavirusi shkakton trashjen e gjakut, duke u bërë shkak edhe për fatalitet në shumë raste.

Farmacitë pohojnë se gjatë këtij viti, sidomos pas qershorit, ka një rritje të fortë të holluesve të gjakut të tilla si ksarelto, enoksiparin dhe fraksiparin, aspirinë protekt etj. Në periudha normale, ky grup trajtimi përdoret për moshat e pensionit dhe ato që vuajnë nga sëmundjet kardiovaskulare. Përveç shitjeve rutinë, shitjet e holluesve janë nxitur së tepërmi nga pandemia.

Antibiotikët

Një spektër i gjerë antibiotikësh kanë shënuar rritje për shkak të pandemisë. Levofoksacina dhe azitromicina kryesojnë shitjet për shkak se janë të përfshira në protokollet e mjekimit për të gjithë të sëmurët me COVID që kanë shfaqur prekje të mushkërive. Gjithashtu kanë njohur rritje jo të zakontë lloje të tjera të antibiotikëve si levofloksaksin, moksifloksacin, ceftriakson, cefepime, etj.

Antiinflamatorët

Antiinflamatorët, të tillë si paracetamoli, ibuprofeni dhe antipiretikët kanë shënuar rritje të shitjeve këtë vit për shkak të pandemisë. Paracetamoli përdoret gjerësisht edhe te personat me simptoma të lehta për trajtimin e temperaturës dhe lehtësimin e dhimbjeve. Farmacistët pohojnë se shitjet në këto produkte kanë qenë më të larta se në vitet e zakonshme.

Antiulcerozët dhe gastrointestinalet

Antiulcerozët janë një grup tjetër produktesh farmaceutike që kanë shënuar rritje, si pjesë e trajtimit të disa simptomave që shkakton prekja nga koronavirusi dhe gjithashtu, medikamente që trajtojnë çrregullimet e gastritit dhe aparatit tretës.

Mjekët shpjegojnë se një pjesë e madhe e të prekurve me COVID shfaqin simptoma të çrregullimit të aparatit tretës dhe gastritit, ndaj edhe këto medikamente që trajtojnë këto çrregullime, kanë shënuar rritje gjatë periudhës së pandemisë, pohojnë farmacistet.

Antidepresivët

Ndër të tjera, pandemia ka krijuar ankth dhe stres jo të zakontë tek një pjesë e popullatës që nuk është prekur nga virusi, por edhe të prekurit, shumica shfaqin çrregullime të ankthit dhe stresit. Gjatë kësaj kohe, shitjet e medikamenteve që trajtojnë shëndetin mendor janë rritur, të tilla si sedativët dhe qetësuesit.

Preparatet

Disa preparate mjekësore, që më parë kishin shitje sporadike, për shkak të specifikës, me pandeminë janë rritur në përdorim. Oksimetri, matësi i oksigjenit në trup, ka njohur shitje jo të zakonta. Me një çmim prej 3 mijë lekësh, oksimetri ka qenë më i shituri i preparateve bashkë me termometrin, pohojnë pikat e shitjes me pakicë të produkteve mjekësore.

Rritje jo të zakontë të shitjeve kanë shënuar edhe aparatet e oksigjenit dhe pajisjet e oksigjenit. Mijëra të prekur me COVID-19 janë trajtuar në kushte shtëpie me oksigjen, kështu që oksigjeni për qëllime mjekësore ka qenë shumë i shitur bashkë me bombolat, tubat dhe maskat.

Bipapi, një aparat që ndihmon në ventilimin e mushkërive me oksigjen, ka qenë mjaft i shitur gjatë pandemisë. Ky preparat, sipas farmacistëve, është përdorur përveçse në spitale edhe në trajtimin në shtëpi për shumë pacientë.

Rriten shitjet e kiteve dhe pajisjeve laboratorike

Shërbimet laboratorike dhe pajisjet e tyre kanë njohur rritje të pazakontë në 2020-n. Pandemia kërkon analiza rutinë, duke përfshirë edhe testet me tampon. Për rrjedhojë, burimet nga tregu pohuan se shitjet e kiteve dhe reagentëve, që përdoren për analizat laboratorike, kanë shënuar rritje shumë më të larta në krahasim me mesataren historike.

Pandemia nxit kontrabandën, Favira dhe Remdesiviri, treg paralel

Disa antiviralë si Favira dhe Remdesiviri, që disa shtete i aplikojnë në trajtimin e të sëmurëve me simptoma të rënda të COVID, në Shqipëri tregtohen kontrabandë.

Këto medikamente nuk janë certifikuar nga Agjencia Shtetërore e Barnave, por janë efikase në trajtimin e të sëmurëve rëndë në disa raste. Për shkak të popullaritetit që kanë këto medikamente në shtete të tjera, në vendin tonë shpesh aplikohen në mënyrë amatore dhe jo nën mbikëqyrjen e mjekut. Tregtimi jo i ligjshëm i tyre ka sjellë çmime të larta dhe jo reale për përdoruesit./Monitor

GAZETA.MK

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Sot mot me shi dhe reshje bore

Story i radhës

Momenti kur helikopterët rusë qëllojnë në qytetin port të Mariupolit

Të fundit nga

ShkoLartë