Në Kosovë po shënohet 12 Qershori, një ditë shumë e rëndësishme për historinë më të re të Kosovës. Si sot, para 23 vitesh, në Kosovë kanë hyrë trupat ushtarake të aleancës veri-atlantike, të njohur si NATO, si rrjedhojë e ngjarjeve të njohura gjatë viteve 1998 e 1999.
Për ndërkombëtarët të cilët realist edhe sot e udhëheqin Kosovën, ndonëse ky shtet zyrtarisht është i pavarur që nga viti 2008, kjo ditë njihet si “Peace Day” (Dita e Paqes). Për ne shqiptarët, të cilët mendojmë se Kosovën e kemi në duart tona, kjo ditë njihet si “Dita e Çlirimit” (anglisht: Liberation Day).
Faktet e mësipërme dhe realiteti i sotëm i Kosovës dëshmon se jo gjithçka është zgjidhur më 1999. Siç dihet, më 12 Qershor të vitit 1999 në Kosovë kanë hyrë trupat ushtarake të NATO-s, si rezultat i marrëveshjes së Kumanovës, më 9 Qershor 1999, mes gjeneralëve të NATO-së dhe atyre të ushtrisë së atëhershme të Republikës Federale të Jugosllavisë. Sipas marrëveshjes në fjalë, në të cilën për arsye të pasqaruara kurrë nuk kanë marrë pjesë edhe shqiptarët, trupat ushtarake të NATO-s do të hynin në Kosovë, përderisa njëkohësisht nga Kosova do të fillonte edhe largimi i të gjitha formacioneve policore, paraushtarake dhe ushtarake të Jugosllavisë.
Edhe njëherë: çfarë është 12 Qershori: ditë çlirimi, e paqes apo okupimi?
Çdo vend i botës pasi çlirohet nga shtypja dhe pushtimi i një okupatori ka një ditë të veçantë, e cila nuk mund të njihet ndryshe veçse si ditë çlirimi. Një ditë të tillë duhet ta ketë edhe Kosova, apo jo?
Bazuar në realitetin e sotëm, i cili për fat të keq po zgjatet e stërzgjatet më shumë se 23 vite, rasti i Kosovës duket se nuk po i ngjan një vendi që është çliruar nga një okupator i caktuar. Për ne shqiptarët, Kosova është çliruar nga pushtimi i Serbisë, prandaj 12 Qershorin e konsiderojmë si “Ditë çlirimi”. Mirëpo, duket se ndërkombëtarët nuk mendojnë si ne. Për ta 12 Qershori është “Dita e Paqes”, jo pra e “Dita e Çlirimit”. Ndërkaq, sa i përket Serbisë, qëndrimi i tyre është krejtësisht i kundërt, 12 Qershorin ata e konsiderojnë “Ditë të Okupimit”.
Nëse është kështu, atëherë çfarë ka ndodhur me Kosovën më 12 Qershor 1999: është çliruar, është arritur paqja, apo…?! Një gjë është e qartë: fjalët “çlirim”, “paqe’ dhe “okupim” nuk janë të njëjta me njëra-tjetrën. Përkundrazi, ato dallojnë për nga kuptimi nga njëra-tjetra.
Të flasësh për çlirimin do të thotë të flasësh për çlirimin e një vendi të pushtuar nga okupator i caktuar. Të flasësh për paqen do të thotë të flasësh për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dhe pajtimin mes dy ose më shumë palëve të caktuara të cilat mund të kenë qenë të konfrontuara mes veti. Dhe, në fund, të flasësh për okupimin do të thotë të flasësh për okupimin e një vendi të lirë nga një pushtues i paligjshëm.
Në qoftë se nocionet “çlirim”, “paqe” e “okupim” janë të ndryshme nga njëra-tjetra, pse pra 12 Qershori është edhe ditë çlirimi?
Pse gjithë kjo paqartësi? A është paqartësi e rastësishme, apo e qëllimshme? Pse kjo paqartësi nuk është zgjidhur më 1999, kur ka qenë shumë me lehtë, dhe është bartur deri më sot kur po bëhet më e vështirë për t’u sqaruar?
Në Kosovë, sidomos gjatë viteve 1998 dhe 1999, ka pasur luftë, e jo konflikt siç thonë ndërkombëtarët dhe serbët. Në Kosovë ka pasur krime të papara, vrasje masive, masakra, përdhunime, dhe mbi të gjitha gjenocid të pastër shtetëror të Republikës Federale të Jugosllavisë ndaj popullsisë së pafajshme dhe duarthatë të shqiptarëve të Kosovës. Se ka qenë kështu, këtë ndërkombëtarët e dinë më mirë se ne. Mirëpo, pse atëherë ata nuk po bëhen të sinqertë me shqiptarët? Pse ndërkombëtarët po mundohen t’i minimizojnë krimet e egra serbe ndaj shqiptarëve? Pse ndërkombëtarët po e barazojnë viktimën me xhelatin, edhe pse ata e dinë më mirë se ne se kush ka qenë viktima e kush xhelati?
As “personat e humbur” nuk janë njësoj si “pengjet e luftës”. Persona të humbur mund të konsiderohen të tillët që mund të kenë humbur rrugën në ndonjë mal të errët, apo të tillët që mund të jenë zhdukur në gërmadha pas ndonjë tërmeti apo katastrofe natyrore. Edhe në këtë rast, ndërkombëtarët duhet ta dinë mirë, nëse vërtet nuk e dinë se mijëra shqiptarë, si dhe disa dhjetëra serbë, nuk kanë humbur rrugën në mal, as nuk kanë mbetur nën gërmadhat e ndonjë tërmeti, por ata janë marrë peng dhe me forcë nga persona të armatosur. Andaj, të tillët nuk mund të konsiderohen me termin fyes “të humbur”, por vetëm si “pengje të luftës”!
Pse, ndërkombëtarët e bëjnë këtë? Me dy lugë nuk hahet, thotë populli ynë. Viktima është viktimë, ndërsa xhelati është xhelat. Kosova ose është viktimë, ose xhelatë. E njëjta vlen edhe për Serbinë: ajo ose është viktimë, ose xhelate.
Deri kur ndërkombëtarët do ta përkëdhelin Serbinë? Deri kur ndërkombëtarët do t’i bëjnë lëshime Serbisë në dëm të Kosovës? Nëse janë penduar për bombardimet e 1999-ës, le ta thonë hapur. Nëse janë penduar për njohjes e pavarësisë së Kosovës, përsëri le ta thonë hapur. Prej kujt po frikësohen? Ne shqiptarët jemi të pafuqishëm që t’i kundërvihemi.
Mirëpo, një gjë duhet ta dinë ndërkombëtarët: Serbia nuk do ta njehë Kosovën kurrë përderisa ajo përkëdhelet dhe nuk do të detyrohet. Apo, ndërkombëtarët vërtet po duan kështu!