Me tre gola të shënuar ndaj Romës, Inter merr kreun e Serisë A të paktën deri mbrëmjen e sotme dhe konfirmohet pretendenti kryesor për titullin kampion, që nëse vjen, do të jetë i dyti radhazi e i 20-i në historinë e klubit.
Dumffries, Brozoviç e Lautaro Martinez shënuan në portën e Romës, megjithatë një paraqitje mjaft të mirë bëri edhe turku Hakan Calhanoglu, i cili asistoi për golin e parë dhe të tretë, si dhe impenjoi portierin Rui Patricio me një goditje mjaft të bukur nga distanca.
I ardhur nga Milani me parametra zero për të zëvendësuar Eriksen, turku është shndërruar në titullar në anën zikaltër të Milanos dhe po e shpërblen besimin me paraqitjet në fushë, duke u konfirmuar njeriu asist i ekipit.
Plot 10 asiste ka dhënë Calhanoglu këtë sezon në kampionat, të njëjtën shifër që ka edhe Milinkoviç-Saviç i Lazios dhe një me pak se Berardi i Sassuolos, teksa Interi “fluturon” drejt titullit kampion edhe falë turkut.
Përveç 10 asisteve, Calhanoglu ka shënuar edhe 7 gola me fanellën zikaltër, teksa në anën kuqezi të Milanos me siguri “kafshojnë duart” që nuk ia plotësuan dëshirat për ta mbajtur në ekip.
Paolo Maldini zgjodhi të “vendosë bast” mbi spanjollin Brahim Diaz, që ka humbur edhe vendin e titullarit, duke bërë që shpesh në rolin e fantazistit të improvizohet Franck Kessie, një tjetër futbollist që do të lërë kuqezinjtë në fund të sezonit.