Në një intervistë për “Bota sot” kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, flet për punën në Komunë, zgjedhjet brenda VV-së, dhe aktualitetin në vend.
Sa i përket zgjedhjeve, ai thotë se kandidatët për një pozicion në VV duhet të përmbushin disa kritere, duke shtuar se nuk do e kishte problem edhe po të kishte kundërkandidatë se do të mateshin brenda anëtarësisë.
Kurse për demokracinë brenda VV-së, deklaron se Vetëvendosja është subjekti politik më demokratik në vend.
Për punët në komunë, ai thotë se disa projekte kanë filluar e disa do të fillojnë brenda pak ditësh.
Derisa për qeverinë Kurti, thotë se pavarësisht që po udhëheq në një kohë fort të papërshtatshme për shkak të krizave të ndryshme, ajo po arrin mirë t’i menaxhoj këto kriza e të korr suksese në shumë sfera.
Përçarjet që po raportohen në medie, Shpejtim Bulliqi i hedh poshtë, duke thënë se grupi parlamentar ka harmoni e bashkëpunim të mirë ndërmjet vete.
Intervista e plotë:
“Bota sot”: Ishit vetëm ju në garë, nuk patët kundërkandidat, dhe pati ankesa nga kundërshtarët tuaj. Pse?
Shpejtim Bulliqi: Sipas rregullave procedurale dhe statutit të Lëvizjes VV kandidatët për një pozicion të caktuar duhet t’i përmbushin disa kushte e kritere për tu certifikuar si kandidat, andaj i takon nivelit të përgjithshëm të bëjnë vlerësimin për secilin kandidat, dhe për mua s’ka qenë aspak problematike të kem edhe kundërkandidatë në garë e t’i shpalosim platformat tona para anëtarësisë dhe të matemi me votë brenda anëtarësisë.
“Bota sot”: Ish-anëtarë të VV-së po iu kritikojnë se nuk ka demokraci brenda partisë, si e komentoni këtë?
Shpejtim Bulliqi: Vetëm në Lëvizjen VV voton e gjithë anëtarësia për zgjedhjen e strukturave të saj udhëheqëse. Secili nga ne mund të kemi pakënaqësi momentale për një çështje të caktuar, por duke qenë me një përvojë të gjatë politike atë që e shoh dhe e kam përjetuar është se Lëvizja Vetëvendosje është subjekti politik më demokratik në vend.
“Bota sot”: Si po ecin punët në Komunë?
Shpejtim Bulliqi: Në fazën që jemi ka shumë dinamizëm të punës dhe jemi në përfundimin e shumë projekteve kapitale.
“Bota sot”: A janë duke u realizuar projekte të rëndësishme, dhe cilat janë ato kryesoret që do të kryhen në këtë mandat tuaj?
Shpejtim Bulliqi: Ka shumë projekte që kanë filluar e disa pritet të fillojnë brenda pak ditësh. Gjatë kësaj kohe kanë filluar punimet në ndërtimin e shkollave në Obrançë dhe Llugë, projekti i Urgjencës së Qytetit me vlerë mbi 1.7 milionë euro fillon brenda pak ditësh, po ashtu brenda pak ditësh fillon ndërtimi i Stacionit të Autobusëve me vlerë mbi 1.1 milionë euro, në rrugën “Skënderbeu” ka shumë dinamikë të punimeve dhe ky projekt është mbi 1.3 milionë euro. Ka edhe shumë projekte të tjera që po realizohen, andaj jam shumë i lumtur që karshi zotimeve që iu kemi dhënë qytetarëve po i realizojmë të gjitha një nga një.
“Bota sot”: Kriza e krijuar si pasojë e luftës në Ukrainë, pas krizës së shkaktuar nga Covidi, ka krijuar vështirësi ekonomike, dhe njëkohësisht zbuloi nevojën për më shumë prodhime bujqësore vetanake, blegtorale, të industrisë përpunuese etj. Sa kanë ndikuar këto kriza, që në komunën tuaj të rriten investimet në këto fusha?
Shpejtim Bulliqi: Në vende të vogla si Kosova sigurisht që krizat e jashtme reflektojnë më tepër dhe ndjehen më thellë. Ne si komunë kemi shtuar mbështetjen ndaj fermerëve tanë, vetëm në planifikimet buxhetore për vitin e ardhshëm janë paraparë 270 mijë euro më tepër në bujqësi. Gjithashtu për herë të parë kemi filluar që të subvencionojmë kreditë investive të bizneseve prodhuese, kjo formë e mbështetjes është treguar shumë efikase, ku për këtë vit kemi ndarë 50 mijë euro, ndërsa vitin e ardhshëm i ndajmë 200 mijë euro për t’ju ndihmuar bizneseve prodhuese në zgjerimin e kapaciteteve të tyre.
“Bota sot”: A pritet të ketë investime të jashtme, të cilat edhe mund ta rrisin veç prodhimin ekonomik, edhe punësimin me efektet tjera përcjellëse?
Shpejtim Bulliqi: Jemi vazhdimisht në kontakte me investitorë potencialë dhe jemi shumë të interesuar që këta afaristë të suksesshëm t’i sjellim në Podujevë. Ne vazhdimisht para tyre kemi prezantuar lehtësirat dhe mundësitë që ofron Komuna e Podujevës për ta.
“Bota sot”: Cilat janë disa nga vështirësitë që po hasni?
Shpejtim Bulliqi: Ka probleme të ndryshme, por me përkushtim e angazhim për punë dhe shërbim ndaj qytetarëve secila pengesë tejkalohet.
“Bota sot”: Në përgjithësi, si po e shihni qeverisjen e Kurtit?
Shpejtim Bulliqi: Kryeministri Kurti po udhëheq me Qeverinë në një kohë fort të papërshtatshme për shkak të krizave të ndryshme si pasojat e Covid-19, lufta në Ukrainë, sfidat me energjinë etj, por e vlerësoj që gjatë kësaj kohe përkundër shumë sfidave ka arritur jashtëzakonisht mirë t’i menaxhoj këto kriza e të korr suksese në shumë sfera.
“Bota sot”: A është duke ndihmuar më shumë Qeveria qendrore, komunën e Podujevës me projekte apo kjo ndodhë edhe për shkak se keni një staf që ka kompetenca të mira për hartim projektesh?
Shpejtim Bulliqi: Qeveria Kurti ka rritur buxhetin e grantit qeveritar për vitin 2023 për secilën komunë dhe unë e shoh se trajtohemi në mënyrë të barabartë vazhdimisht, por përderisa për një kohë të gjatë në Podujevë kishte pak investime nga ana e qeverive të Kosovës, tash kjo Qeveri po e trajton në mënyrë meritore Komunën e Podujevës dhe janë shtuar investimet.
“Bota sot”: Po, grevën në arsim si e shihni, cila mendoni se është zgjidhja sipas jush dhe a janë sindikatat të manipuluara nga grupe të interesit?
Shpejtim Bulliqi: Përderisa Qeveria e Kosovës ka lëvizur në drejtim të kërkesave të sindikatës, duke ofruar shumën prej 50 euro për të gjithë zyrtarët që punojnë në institucione publike deri në fund të vitit, e konsideroj si veprim të duhur nga ana e Qeverisë. Siç po shihet sindikatat janë të nxitura nga grupe të ndryshme të interesit për ta bllokuar mësimin dhe këtë po e përdorin si mjet të kërcënimit ndaj qeverisë në realizimin e kërkesave të tyre, por edhe në dobësimin e pozicionit të Qeverisë në përgjithësi.
“Bota sot”: Është folur për ‘përçarje’ në grupin Parlamentar, se ka zëra të pakënaqur që mund ta lëshojnë edhe partinë. Një deputete ka dalur nga koalicioni, sa mund ta dëmtojë shumicën parlamentare nëse ndodhë një ikje e disa deputetëve, dhe sa ka gjasa të ndodhë kjo?
Shpejtim Bulliqi: Unë besoj që më shumë kjo çështje është e fryrë nga mediat dhe portalet sesa që ka në të vërtetë ndonjë përçarje. Përderisa kemi grupin më të madh parlamentar dhe jemi subjekti që udhëheqim me Qeverinë sigurisht që ka mendime të ndryshme për çështje të ndryshme, por sipas informatave që kam e di se grupi parlamentar ka harmoni e bashkëpunim të mirë ndërmjet vete.
“Bota sot”: Cili është opinioni juaj për dialogun Kosovë-Serbi, kur mendoni se do të ketë përfundim, pas gjithë presionit nga bashkësia ndërkombëtare?
Shpejtim Bulliqi: Kosova me qeverinë Kurti është në një pozicion shumë më të favorshëm në dialogun me Serbinë, pasi që kemi një person që po udhëheq me dialogun, i cili është i pakorruptueshëm dhe i pashantazhueshëm dhe e ka të qartë vizionin për mbylljen e këtyre negociatave.
“Bota sot”: Një dritë jeshile është dhënë nga BE-ja për liberalizimin e vizave, si e shihni ju këtë proces?
Shpejtim Bulliqi: Përderisa në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar kemi shënuar progres jashtëzakonisht të mirë, besoj se ka ardhur dita që ky proces të përmbyllet e qytetarët tanë të lëvizin lirshëm në vendet e Bashkimit Evropian.