Bullgaria ka marrë një ofertë nga SHBA për dorëzimin e një grupi të dytë prej tetë avionësh F-16 Block 70, u tha gazetarëve ministri në largim Dragomir Zakov pas një takimi të Komisionit parlamentar të Buxhetit dhe Financave të martën.
Oferta aktualisht është duke u shqyrtuar, tha ai, duke shtuar se Bullgaria duhet ta pranojë ose ta refuzojë atë deri më 1 nëntor. Ekziston një opsion që periudha e rishikimit të zgjatet, por SHBA-ja duhet të pajtohet me këtë, saktësoi Zakov.
“Oferta është e krahasueshme me atë të parën (të vitit 2019 për grupin e parë me tetë luftëtarë) për sa i përket vlerës (kosto e vlerësuar prej 1,673 miliardë dollarë), por përfshin një paketë shumë më të madhe aftësish, pasi Bullgaria tashmë ka histori me SHBA-në. Prandaj, Bullgaria gëzon kushte shumë më të mira të kontratës”, shpjegoi Zakov.
Ai sqaroi gjithashtu se çmimi është i krahasueshëm në dollarin amerikan.
“Tashmë Bullgarisë i lejohen pagesat me këste. Orari i pagesave ende nuk është specifikuar. Vetëm në kontratën e parë ishte një kërkesë për të paguar plotësisht. Tani mund të paguhet plotësisht, por mund të paguhet edhe me këste,” tha Zakov.
Zakov tha se Amendamenti Nr. 1 i Letrës së Ofertës dhe Pranimit (LOA) 2019 midis Bullgarisë dhe SHBA-së për blerjen e avionëve F-16 Block 70 dhe mbështetjes përkatëse, nuk ndryshon kushtet standarde të përgjithshme për dorëzimin e grupit të parë prej tetë avionësh F-16 Block 70 dhe mirëmbajtja e tyre. Amendamenti nr.1, të cilin Këshilli i Ministrave miratoi më 6 korrik dhe propozoi që Parlamenti ta ratifikonte, lejon optimizimin e LOA nga ana e Shteteve të Bashkuara pa rritur detyrimet financiare të Bullgarisë.
F-16-ët e parë do t’i dorëzohen Bullgarisë në tremujorin e parë 2025, tha Zakov, duke shtuar se të tetë avionët e grupit të parë duhet të dorëzohen brenda pak muajsh pas kësaj.
Në vitin 2027, ose më së voni në vitin 2028, Bullgaria do të ketë një skuadrilje të tërë prej 16 avionësh F-16 Block 70 të gatshëm operacionalisht, theksoi Zakov.