Ministria e Jashtme e Bullgarisë tha të martën se i kishte kërkuar Rusisë të reduktojë stafin e saj diplomatik në Bullgari dhe të tërhiqte 70 anëtarë të personelit deri më 3 korrik.
“Arsyeja e parë është reciprociteti… Së dyti, për shkak të veprimtarisë së kryer nga zyrtarët rusë, e cila u konstatua nga autoritetet kompetente bullgare si të papajtueshme me Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike,” tha ministria në një deklaratë.
Ndërkohë kryeministri bullgar në largim Kiril Petkov, ka deklaruar se diplomatët që janë urdhëruar të largohen, kanë punuar kundër interesave të Bullgarisë.
“Shërbimet tona të sigurisë i kanë identifikuar ata si njerëz të lidhur kryesisht me shërbimet e ruse dhe që kanë punuar kundër interesave të vendit tonë.
Dua të përgëzoj shërbimet bullgare dhe Ministrinë e Jashtme për punën e tyre. Unë dua t’u them të gjitha vendeve të huaja, jo vetëm Rusisë, se kushdo që punon kundër interesave të Bullgarisë do të përballet me punën e shërbimeve tona.
Ata që u dëbuan ishin të gjithë punonjës të ambasadës ruse dhe roli i tyre diplomatik ishte thjeshtë mbulim. Ata kishin kryer aktivitete jo-karakteristike për postet e tyre zyrtare ”, tha Petkov.