Pas ndeshjes me Mançester Junajtidin, Graham Poter paralajmëroi ndryshime në formacion për ndeshjen e Champions-it kundër Salcburgut mbrëmjen e sotme. Por pas debutimit nga minuta e parë në Premier Ligë, Armando Broja duhet të presë të paktën edhe një javë për të bërë debutimin e plotë edhe në Champions.
Trajneri i Çelsit tha në konferencën për shtyp përpara ndeshjes me kampionët e Austrisë se blutë do të kërkojnë me çdo kusht të hipotekojnë kualifikimin sot në Salcburg dhe atë ia siguron vetëm një fitore.
“Champions-in e shoh shumë sfidues, por edhe emocionues me shumë ndeshje cilësore. Kemi bërë tri ndeshje të nivelit të lartë. Ne presim një tjetër ndeshje të fortë me Salcburgun dhe mezi po e presim atë. Jemi të parët, por asgjë nuk ka përfunduar. Nuk kemi marrë pikët e mjaftueshme për kualifikimin. Na duhen më shumë dhe do të përpiqemi për më të mirën nesër (sot). Renditja është shumë e ngjeshur. Salcburgu është një ekip shumë i mirë. Ne e pamë cilësinë e tyre kur erdhën në ‘Stamford Bridge’, kështu që presim një ndeshje të fortë dhe ne duhet të përshtatemi me intensitetin e tyre”.
Por gjërat mund të ndryshojnë javën e ardhshme dhe i pyetur nëse ka ndërmend të bëjë rrotacion në ndeshjen me Dinamon e Zagrebit në rast se siguron sot biletën në 1/8-at, Poter tha: “Do të ishte bukur të fitonim dhe ne i dimë rrjedhojat. Por ne do të hyjmë në fushë për të fituar ndeshjen. E dimë që do të jetë e vështirë dhe duhet të jemi në lartësinë e sfidës”.
Kulibali nuk u stërvit në seancën e fundit dhe sot do të mungojë në mbrojtje, ndërsa Kukureja është i gatshëm që të luajë pavarësisht zëvendësimit në pjesën e parë kundër Junajtidit: “Kulibali nuk ka një dëmtim shumë serioz, por kjo ndeshje vjen shumë herët për të. Ne shpresojmë që të rikthehet në stërvitje në fushë të mërkurën ose të enjten. Kukureja ishte pak i sëmurë, por tani është shumë më mirë. Por arsyeja e zëvendësimit të tij kundër Mançester Junajtidit ishte tërësisht taktike”.
Sterling po vuan të shënojë?
“Mendoj se është një çështje e skuadrës. Ne duhet të përpiqemi më mirë si ekip, të përmirësojmë lojën sulmuese dhe individët do të bëjnë më mirë. Unë dua të shoh gjithnjë sesi skuadra funksionon dhe ka shumë hapësirë për këtë në atë zonë që do ta ndihmojë Rahimin”.