Dje, ndërsa kryeministri Albin Kurti, mbante fjalën e rastit gjatë ceremonise festive për 14 vjetorin e shpalljes së pavarësisë, opozita e Kosovës ka braktisur sallën e parlamentit. Sipas burimeve nga brenda parlamentit dhe një komenti të shkurtër të publiçistit dhe studjuesit të mirënjohur, Enver Bytyçi, si dhe nga reagimet mediatike të nënkryetares së PDK-së, Vlora Çitaku, e të tjerëve, arësyeja apo sebepi është se “kryeministri Kurti nuk ka permendur kontributin e Hashim Thaçit në aktin e 17 shkurtit 2008” dhe se ai e presidentja Vjosa Osmani( në kulmin e emocioneve, të gëzimit dhe seriozitetit ceremonial), “gjatë parakalimit të reparteve të FSK-së…nuk janë përshëndetur personalisht me ish presidentin Fatmir Sejdiu”, padyshim një nga figurat më emblematike e të respektuara të LDK-së… Edhe sipas meje, braktisja e parlamentit dje, në një ditë FESTE dhe seancë solemnte, mund të cilësohet si një turp, marre e faqja e zezë për opozitën në Kosovë! Apo, si një inat fëmijëror, për një hile në lojë apo adoleshentësh, për arësye të zilisë për ofrim më të madh me një shoqe…
Duke llogaritur edhe ditë-festat për 28 nëntorin dhe 12 qershorin, partitë e opozitës në Kosovë kanë 362 ditë në dispozicion për t’i bërë bojkotime dhe opozitë VV dhe qeverisë së Albin Kurtit. Mllefin për këtë pakënaqësi apo “padrejtësi”mund ta linin edhe për një seancë të posaçme për sot, për nesër, pasnesër, të hënën…Kjo mund t’u shërbente edhe për t’u qetësuar dhe për ta shmangur këtë veprim të pamatur e të tejet të dëmshëm ditën e djeshme, edhe për t’u “armatosur” me “fakte dhe sebebe të tjera, të vjetra e të reja”. Ato kanë pasur dhe do të kenë gjatë gjithë vitit apo këtij mandanti liri të plotë për ta bombarduar me kritika të drejta e të stisura dhe për mosrealizime, gabime dhe përgjegjësi të tyre (qeverisjeve të LDK-PDK) gjatë 20 vjetëve, nga 1 korriku 1999 deri më 1 shkurt 2021!
Kushedi sa janë lumturuar dhe gajasur në…Beograd!??? Me të drejtë, mund të kenë thënë me optimizëm: “kur nuk u bashkuan as sot, më 17 shkurt, me shumë gjasa nuk do të bashkohen kurrë, për ta bërë Kosovën shtet për së mbari, siç e do çdo zemër shqiptari”!!!
Si ish diplomat (këshilltar-zv.ambasador) në Ambasadën e Shqipërisë në Prishtinë nga 2006-2010, kam pasur informacion për përgatitjet e ceremonisë dhe intrigat para saj, që Hashim Thaçi të dilte si protagonist apo në mënyrë figurative, si “babai i Pavarësisë”,duke mjegulluar edhe rolin e Rugovës, kur dihet mirë “roli i vërtetë” i Thaçit, para Rambujesë dhe gjatë Luftës. Fakti që ai është i burgosur prej një kohe të gjatë në Hagë dhe me shumë gjasa, jo pa fakte e arësye, njollos jo vetëm figurën e tij, por edhe PDK. Braktisja e parlamentit nga opozita në bllok, pikërisht në Ditën e Pavarësisë, ka dëmtuar rëndë edhe imazhin e partive të tjera të opozitës. Kjo ngjarje, që duhej të ishte shmangur me çdo kusht, shpreh jo vetëm papjekuri politike e mugesë emancipimi demokratik të nivelit bashkëkohor, por edhe papërgjegjshmëri kombëtare! Njëherazi çon ujë edhe në mullinjtë e Beogradit…