Biznesmeni Orce Kamçev është shpallur si person “non grata” nga Departamenti i Thesarit të SHBA-ve. Në njoftimin e Departamentit të Thesarit të SHBA-ve thuhet se ai është angazhuar gjerësisht në korrupsion, duke përfshirë shpërdorimin e detyrës, pastrimin e parave dhe vepra të tjera për më shumë se një dekadë duke filluar nga viteve 2000.
Në vitin 2022, Kamçev u dënua nga gjykata në rastin “Parcelat në Vodno” për pjesëmarrje në një skemë pastrimi parash të lidhur me blerje të paligjshme parcelash. Në një gjyq të veçantë për të, Kamçev u deklarua fajtor për shpërdorim të rëndë të detyrës në rasti “Perandoria”, në të cilën ai dyshohej për pjesëmarrje në grupe kriminale, mashtrim, pastrim parash dhe krime të tjera që lidhen me bizneset e tij.
Po ashtu, në njoftimin e Departamentit të Thesarit, thuhet se Kamçevi ka përdorur ndikimin dhe pasurinë e tij për të korruptuar dhe manipuluar sistemin gjyqësor të Maqedonisë së Veriut në favor të tij. Në vitin 2020, kryeprokurorja e Prokurorisë Speciale Publike (PSP) u akuzua për pranim ryshfeti nga Kamçevi dhe dëshmoi se Kamçev kishte paguar para në këmbim të kushteve të favorshme të arrestit të tij.
“Z.Kamcev ka abuzuar me pozitën e tij, duke u angazhuar në aktivitete korruptive dhe duke ndjekur një agjendë në dëm të institucioneve demokratike dhe qytetarëve të Maqedonisë së Veriut”, thuhet në citimin e nënsekretariatit të Thesarit për Terrorizëm dhe Inteligjencë Financiare, Brian E. Nelson.
Burimi: TV21