Pandemia përveç se ndryshoi zakonet e të përditshmes ndikoi edhe në mënyrën e të bërit biznes.
Konsumatorët iu drejtuan teknologjisë dhe shërbimeve online për të plotësuar nevojat e tyre dhe zëvendësuar praninë fizike në dyqane. Kjo tendencë konfirmohet edhe nga shifrat e INSTAT, ku shihet se në 2021 më shumë biznese u hapën në fushën e Teknologjisë së Informacionit ndjekur nga shëndetësia, hotelet dhe më pas ndërtimi.
Alfons Mala është një sipërmarrës i hershëm në fushën e teknologjisë. Ai shprehet se ky sektor ofron të ardhura më të mëdha se bizneset e tjera
“Nevoja erdhi për arsye se ishte e vështirë për të gjetur një punë me rrogë të mirë. Kërkesa online ishte e mirë dhe kishte të ardhura. Me kalimin e kohës filluam të krijonim databazën tonë me klientët dhe ata të na besonin më shumë. Me vitin e pandemisë, mund të them morëm një shtysë të madhe, pasi u fokusuan të gjithë tek shitjet online”, tha Mala.
Ekspertët tregojnë edhe avantazhet që ofron teknologjia në mënyrën e të bërit biznes, ndërsa tregojnë se ku po orientohet e ardhmja
“Unë besoj që ka një lëvizje që nga viti 2012-2013, që ka ecur në mënyrë graduale për kalimin e bizneseve në epokën digjitale. Opsioni online ka disa benefite më shumë se dyqani fizik, një është konvenienca, dy është shpejtësia dhe tre fakti që mund të blesh në çdo kohë. Unë besoj që pjesa kryesore ku do zhvillohet teknologjia në të ardhmen përveç e-commerce-t do të jetë automatizimi, procese ku të shmangësh sa më shumë punën e individit dhe pjesa tjetër mendoj se do jetë teknologjia në edukim” , tha Gerti Boshnjaku.
Pavarësisht rritjes së konsiderueshme në teknologji me 2200 biznese, Shqipëria në strukturën e saj të ekonomisë vijon të dominohet nga bizneset në tregti dhe shërbime, që përbëjnë më shumë se gjysmën e bizneseve në vend.