Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, ka zhvilluar një bisedë telefonike me Gabriel Escobar, zëvendësndihmës Sekretarin e Shtetit dhe Përfaqësues Special i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor. Biseda, siç thonë nga MPJ, u fokusua në bashkëpunimin mes dy vendeve në kuadër të Dialogut Strategjik.
“Osmani iu referua planit të ri të veprimit i cili është në fazën përfundimtare të miratimit nga Qeveria, me të cilin projektet dhe fushat e dakorduara në kuadër të Dialogut Strategjik do të bëhen pjesë e programit të punës së Qeverisë. Në takim u diskutuan tema rreth aktualitetit rajonal, situatës në veri të Kosovës, si një çështje e rëndësishme me ndikim më të gjerë në rajon. Bashkëbiseduesit rikonfirmuan mbështetjen e tyre për vazhdimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke bërë thirrje për aktivitete për deeskalimin e situatës, tërheqjen e barrikadave dhe sigurimin e kushteve të patrazuara për sundimin e ligjit. Temë e takimit ishte situata aktuale politike në vend, me fokus dosjen evropiane dhe detyrimet e marra për vazhdimin pa probleme të procesit të negociatave duke përmbushur detyrimin për ndryshime kushtetuese në vend”, thuhet në njoftimin e MPJ-së./KlanMacedonia