Biden: Gati të bisedoj me Putinin nëse ai ka interes t’i japë fund luftës

December 2, 2022
min lexim

Presidenti Joe Biden dhe Presidenti francez Emmanuel Macron deklaruan se kurrë nuk do të ushtronin trysni ndaj Ukrainës për të negociuar përfundimin e luftës me Rusinë. Ata thanë se Shtetet e Bashkuara dhe Franca qëndrojnë të bashkuara si kurrë më parë me aleatët e tyre të NATO-s, kundër agresionit të Moskës. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Cindy Saine njofton.

Presidenti Joe Biden dhe zonja e parë Jill Biden pritën të enjten në Shtëpinë e Bardhë presidentin francez Emmanuel Macron dhe bashkëshorten e tij, Brigitte Macron. Kjo shënon vizitën e parë shtetërore të një udhëheqësi të huaj gjatë presidencës Biden.

Mbështetja për Ukrainën, ndërsa po afron një dimër i acartë, e teksa Rusia po dëmton infrastrukturën energjetike të vendit, ishte në krye të axhendës së tyre.

Gazetarët pyetën presidentin Biden nëse do të zhvillonte bisedime me presidentin rus Vladimir Putin në një përpjekje për t’i dhënë fund luftës.

“Nuk kam ndonjë plan për të kontaktuar zotin Putin. Por jam i gatshëm të bisedoj me të. Nëse ka interes nga ana e tij për të gjetur një mënyrë për t’i dhënë fund luftës, gjë që ai nuk e ka bërë ende, por nëse do ishte kështu, në konsultim me miqtë e mi francezë e të NATO-s, do të isha i lumtur të ulesha me zotin Putin për të kuptuar se çfarë dëshiron ai, e çfarë ka në mendje”, tha zoti Biden.

Zoti Macron u pyet nëse ka patur një kërkesë nga Presidenti Biden që të bëjë përpjekje për të bindur Ukrainën që të negociojë për t’i dhënë fund luftës, për shkak të rrezikut që i kanoset stabilitetit botëror. 

“Ne kurrë nuk do t’i nxisim ukrainasit të bëjnë një kompromis, që nuk do të jetë i pranueshëm për ta. Ata janë shumë të guximshëm dhe mbrojnë, jetën e kombin e tyre, si dhe parimet tona. Nëse do të bënim ndryshe, nuk do të ndërtonin kurrë një paqe të qëndrueshme”, tha zoti Macron.

Pavarësisht disa dallimeve të mprehta mbi një ligj të ri të SHBA-ve që favorizon produktet amerikane të lidhura me energjinë e pastër, në kurriz të konkurrentëve evropianë, presidentët Biden e Macron ripohuan se Parisi është aleati më i vjetër i Uashingtonit dhe se të dy vendet janë të rëndësishëm për t’i bërë ballë Rusisë.

Senatori republikan James Risch i tha Zërit të Amerikës se ka gjasa që Kongresi ta miratojë kërkesën e zotit Biden për një ndihmë shtesë prej 38 miliardë dollarësh për Ukrainën, përpara fillimit të sesionit të ardhshëm në janar, kohë kur ndryshojnë dhe balancat në Kongres. 

“Mesazhi që Putini duhet të marrë është se ne do të qëndrojmë në krah të Ukrainës derisa ajo ta fitojë luftën”, tha zoti Risch.

Rezultati i luftës nuk është i rëndësishëm vetëm për Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre, i tha Zërit të Amerikës senatorja demokrate Jeanne Shaheen.

“Kundërshtarët tanë, konkurrentët tanë, si Kina, Irani, Koreja e Veriut, po vëzhgojnë se çfarë po bëjnë aleatët dhe se cili do ta fitojë luftën në Ukrainë. Ata po shohin nëse do të jemi të suksesshëm e nëse do ta vendosim para përgjigjësisë Vladimir Putinin”, tha zonja Shaheen. 

Shtëpia e Bardhë e ka bërë të qartë se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin Ukrainën në rezistencën e saj ndaj Rusisë për aq kohë sa të jetë e nevojshme./VOA

GAZETA.MK

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Aplikacioni i Epic Games shndërron fotot në modele 3D

Story i radhës

Operohet Driola

Të fundit nga

​Një superderbi sot në Superligë

Xhiro e 14-të në Superligën e Kosovës në futboll do të përmbyllet sot me një ndeshje që pritet të jetë jashtëzakonisht interesante. Në Gjilan do të zhvillohet derbi ndërmdjet Dritës dhe Llapit.
ShkoLartë