Biden dhe Trump kryesojnë tubimet përfundimtare elektorale

November 6, 2022
min lexim

Presidenti Joe Biden dhe ish-presidenti Donald Trump do të kryesojnë përkatësisht tubimet në Nju Jork dhe Florida, të dielën, në një përpjekje për të nxitur mbështetësit e tyre, ndërsa mbeten vetëm dy ditë nga një garë e ngushtë për Kongresin.

Zoti Biden do të shkojë në kontenë Westchester të Nju Jorkut, një territor normalisht i sigurt demokrat, po ku republikanët po kërcënojnë të kalojnë në avantazh, pjesërisht falë mesazheve të forta ndaj kundërshtarëve politike, duke i cilësuar ata si të butë ndaj krimit dhe inflacionit. Guvernatorja demokrate e Nju Jorkut Kathy Hochul po përballet me një sfidë të fortë përballë republikanit Lee Zeldin. Po kështu në të gjithë shtetin po zhvillohen beteja të ashpra edhe për sa i takon garës për një vend në Dhomën e Përfaqësuesve.

Ndërkohë, zoti Trump do të shkojë në një tubim në Majemi. Florida për vite me radhë ka lëvizur nga partia në parti, por kohët e fundit po anon drejt republikanëve. Shteti nuk konsiderohet fushëbeteje për këto zgjedhje.

Sipas këshilltarëve tubimet e shpeshta të ish-presidentit Trump i kanë shërbyer atij për të siguruar vëmendje teksa planifikon të nisë një garë të tretë për Shtëpinë e Bardhë pas zgjedhjeve të 8 nëntorit. Florida në veçanti, mund të shërbejë si një fushëbeteje e rëndësishme në çdo garë për t’u kandiduar zyrtarisht nga partia për Shtëpinë e Bardhë dhe guvernatori republikan i Floridës Ron DeSantis, shihet si një nga pretendentët e fortë për t’u kandiduar, nëse ai vendos ta bëjë një gjë të tillë.

Kjo e ka shndërruar zotin DeSantis një objektiv gjithnjë e më të shpeshtë të kritikave të zotit Trump.

Figura kryesore demokrate dhe republikane kanë bërë fushatë intensive javët e fundit. Si zoti Trump ashtu edhe zoti Biden u shfaqën në Pensilvani të shtunën, ashtu sikurse edhe ish-presidenti demokrat Barack Obama.

Zonja e Parë Jill Biden do të jetë në Teksas të dielën, ndërsa nënpresidentja Kamala Harris në Çikago.

Parashikimet dhe sondazhet jopartiake mbi zgjedhjet tregojnë se republikanët janë favoritët më të mëdhenj për të fituar kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve, ndërsa flitet për një garë kokë më kokë për Senatin. Kontrolli qoftë dhe i njërës prej këtyre dhomave të Kongresit do t’u jepte republikanëve fuqinë për të bllokuar axhendën legjislative të zotit Biden dhe për të nisur hetime potencialisht të dëmshme ndaj tij.

Në disfavor të demokratëve është edhe rënia e popullaritetit të presidentit Biden. Sipas një sondazhi të fundit të agjencisë ‘Reuters’ dhe kompanisë ‘Ipsos’ vetëm 40% e amerikanëve e mbështesin atë për punën që po kryen në Shtëpinë e Bardhë, gjë që ka bërë që zoti Biden të shmangë pjesëmarrjen në fushata elektorale në disa shtete fushëbeteje./VOA 

GAZETA.MK

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Këto janë sekretet e tyre: Si e joshin femrat franceze një mashkull dhe pse janë kaq të suksesshme?

Story i radhës

Banorët e fshatit Buzallkovë të Velesit, vuajnë për ujë të pijshëm

Të fundit nga

ShkoLartë