Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç tha dje se Kosova dhe tre shtete të tjera do të zhduken nëse nisma e Ballkanit të Hapur bëhet realitet. Sipas tij, qëllimi i autorëve të idesë së “Ballkanit të Hapur” është zhdukja e Bosnjë-Hercegovinës, Malit të Zi, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. Dhe më tej, Gjukanoviç shtoi se nisma do të përfundonte me “luftë dhe një gjenocid tjetër”.
Por Edi Rama e kundërshtoi konstatimin e presidentit të Malit të Zi, Milo Gjukanoviç. Si gjithnjë, kryeministri i Shqipërisë krijon beteja lufte në emër të Serbisë dhe presidentit Vuçiq me këdo në Ballkan që paralajmëron rrezikun që paraqet Beogradi për rajonin. Ai, një ditë pas deklaratës së presidentit malazez u shpreh se: “me Ballkanin e Hapur, që është një projekt 100% i dakordësuar dhe 100% i mbështetur pa asnjë rezervë nga SHBA, do të bëjmë të mundur që e shkuara, e cila vazhdon të jetë kërcënim edhe sot, të mos jetë më kurrë kërcënim për Ballkanin, por të jetë vetëm një thesar dijeje dhe mësimesh për sesi historia nuk duhet të përsëritet”!
Kjo deklaratë e Ramës është e pabesueshme edhe për mediokrit e historisë, politologjisë dhe logjikës. Nga ana tjetër, Edi Rama në çdo rast, për të arritur qëllimin, nuk nguron të përdorë mjetin e rrenës dhe mashtrimit. Historia politike e tij është historia e mendimit të kundërt me atë që bën. Madje ai gjithnjë fsheh veprimin përmes gënjeshtrave të bukura. Dhe në fund na thotë “përgjegjësia është personale”, “nuk e dija”, “kisha qëllime të pastra”, “mos më gjykoni, gabime bëjnë të gjithë”, e të tjera si këto!
Ajo që duhet të na brengos lidhet me faktin se edhe Edi Rama e di e madje është marrë vesh me presidentin Vuçiq për ndarjen e Kosovës përmes Open Ballkan e më pas krijimin e Jugosllavisë së Re me Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe Bosnjë-Hercegovinën brenda saj! E ndërkaq na servir “thesare dijesh e mësimesh’ nga Open Balkan. Na “garanton” se “historia nuk do të përsëritet”! Pra na thotë se “e shkruara nuk do të jetë kurrë më kërcënim” për rajonin!
Por ama ne kurrë nuk dëgjuam nga Edi Rama t’u thotë shqiptarëve se “Open Balkan është një asociacion që njeh jo vetëm shtetësinë e pavarësinë e Kosovës, por garanton edhe integritetin territorial të saj”! Kurrë! Ai gjithmonë ka lënë të kuptohet e nënkuptohet “për zgjidhje kompromisi”, që “Serbia të mos humbasë gjithçka e Kosova të mos fitojë gjithçka”, formulë kjo e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Kryeministri i Shqipërisë ka bllokuar rezolutën e opozitës shqiptare për të dënuar gjenocidin serb në Kosovë dhe i kërkon Kosovës “të harrojë rrëmujat ballkanike të së kaluarës”, duke promovuar politikën e Vuçiq, sipas të cilit “Të gjithë në Ballkan kanë bërë krime”! E në fakt është Serbia ajo që ka bërë krime kundër shqiptarëve, krime të cilat janë ideuar, projektuar, ushtruar në praktikë dhe mbrojtur me propagandë nga ana e Sllobodan Milosheviç, Vojisllav Shesheli, Aleksandër Vuçiq, Ivica Daçiq, Aleksandër Vulin e të tjerë që sot drejtojnë shtetin e Serbisë.
Nuk bëhet paqe duke justifikuar agresorin gjenocidist! Open Balkan ka këtë synim. Të rehabilitojë plotësisht Serbinë dhe liderët kryesorë të saj, me qëllim që t’i hapë rrugë rikthimit hegjemon të saj në rajon! Prandaj midis Milo Gjukanovië dhe Edi Ramës unë vlerësoj lart qëndrimin transparent e të sinqertë të presidentit të Malit të Zi dhe dënoj mashtrimet e kryeministrit të Shqipërisë për llogari të presidentit të Serbisë! Po! Open Balkan do të çojë në një luftë dhe gjenocid tjetër të Serbisë në Ballkan, sepse synon ndryshimin e hartës politike të tij! Kjo është e vërteta!