Krijimi i rezistencës ekonomike në periudhë afatgjate përmes përshpejtimit të tranzicionit të gjelbër dhe dixhital në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi, duke përfshirë edhe shfrytëzimin e duhur të përkrahjes financiare të BE-së përmes Instrumentit për ndihmë paraaderuese dhe Fondit evropian për zhvillim të qëndrueshëm. Në kushtet e pasigurisë së madhe në lidhje me pandeminë dhe ndikimin e invazionit rus në Ukrainë, gatishmëria për sigurimin e përkrahjes së mirëorientuar, transparente dhe të përkohshme për amvisëritë dhe kompanitë e ndjeshme, nëse nevojitet është e domosdoshme.
Këto janë disa nga konkluzionet e përbashkëta thelbësore të Dialogut ekonomik dhe financiar ndërmjet BE-së dhe Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë, të cilat u miratuan në Bruksel më datë 24 maj të vitit 2022, ku filluan aktivitetet përgatitore për Programin e ardhshëm të reformave ekonomike (PRE) për periudhën 2023-2025, deklaruan në konferencën e përbashkët për shtyp, ministri i Financave Fatmir Besimi dhe ambasadori i BE-së, David Geer.
Në këtë drejtim, ministri Besimi theksoi se ruajtja e stabilitetit të çmimeve dhe përkrahja e rritjes së qëndrueshme këtë vit do të ketë rëndësi kyçe. Përveç kësaj, në përshpejtimin e rritjes në periudhë afatmesme, fokusi do të jetë në nxitjen e tranzicionit të gjelbër, përforcimin e kapitalit njerëzor, përforcimin e konkurrencës së kompanive vendase dhe integrimin e tyre në zinxhirët e vlerave globale, si dhe formalizimin e ekonomisë gri.
Përveç pakos me 26 masa si reagim ndaj krizës aktuale, me Rishikimin e Buxhetit të miratuar nga Qeveria, parashihen mjete shtesë në rast të nevojës për masa të reja. Më tej, në rrethanat aktuale, ku kriza energjetike parandalon rritjen, një prej sfidave kyçe në periudhën e ardhshme do të jetë efikasiteti energjetik dhe burimet e energjisë së ripërtëritshme.
Si një nga shtyllat kryesore mbi të cilat bazohet ky program trevjeçar është përforcimi i kapitalit njerëzor, që është një prej sfidave kryesore për përforcimin e konkurrencës dhe rritjes ekonomike. Ruajtja dhe përforcimi i kapitalit njerëzor paraqet një çështje shumëdimensionale me ç’rast nevojiten investime të vazhdueshme dhe qasje, proces në të cilin fokusi duhet të jetë mbi përmirësimin e cilësisë së arsimit” theksoi ministri Besimi.
Pas rimëkëmbjes ekonomike, në periudhë afatmesme, politika fiskale duhet të fokusohet më shumë mbi zvogëlimin e deficitit dhe borxhit, si dhe mbi përforcimin e baferëve fiskalë.
Duke iu referuar periudhës së pas krizës, të gjithë pjesëmarrësit në Dialogun ekonomik dhe financiar, siç u theksua në takim, u dakorduan që dialogu i politikave ekonomike duhet të vazhdojë të luajë rol kyç në sigurimin e udhëzimeve të dakorduara të politikave të përbashëkta me qëllim të përkrahjes së rimëkëmbjes së qëndrueshme ekonomike afatmesme dhe ndihmën për partnerët e zgjerimit për të përmbushur gradualisht kriteret ekonomike për anëtarësim në BE.
“Synimet e politikave për Maqedoninë e Veriut në vitin 2022 fokusohen në sigurimin e përkrahjes për amvisërit dhe kompanitë e ndjeshme në periudhë afatshkurtër; dhe për konsolidimin afatmesëm të buxhetit. BE-ja ka vendosur të ndërmarrë më shumë përgjegjësi mbi sigurinë e saj dhe të ndërmarrë hapa të mëtejshme vendimtare drejt krijimit të rezistencës në Evropë. Kjo nënkupton uljen e kushtëzimit, krijimin e modelit të ri të rritjes dhe investimeve për vitin 2030, si dhe zhvillimin e diversifikimit më të madh energjetik. “Partnerët tanë inkurajohen të ndjekin këtë shembull”, theksoi euroambasadori Geer.
Reformat prioritare strukturore të dakorduara në dialog përfshijnë vendosjen e shpejtë të rregullave fiskale dhe krijimin e Këshillit fiskal që bazohet në progresin e arritur gjatë përpilimit të Ligjit të ri për buxhetet; zbatimin e Strategjisë për reforma në sistemin tatimor me masat për rritjen e të hyrave; si dhe përmirësimin e menaxhimit me investimet publike. Për rikuperimin, do të kontribuojnë edhe përpjekjet e mëtejshme për të luftuar korrupsionin, përmirësimi në sundimin e ligjit, përforcimi i transparencës dhe përforcimi i institucioneve, si dhe dialogu social”, siç u potencua në konferencën për shtyp. Sipas konkluzionit në Dialog, politika monetare është përshtatur në mënyrë përkatëse. Rritja e inflacionit kryesisht është pasqyrim i faktorëve globalë, megjithatë, në të ardhmen pritjet mbi inflacionin duhet të monitorohen me vëmendje. Siç u theksua, Sektori bankar mbetet stabil.
Përfaqësuesit e vendeve anëtare të BE-së, ministrat e Financave të Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë, Komisioni Evropian dhe Banka Qendrore Evropiane, si dhe përfaqësuesit e bankave qendrore të Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë u takuan në fillim të kësaj jave në Bruksel në kuadër të dialogut vjetor ekonomik dhe politik. Qëllimi i këtij dialogu është që ta përgatisë Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë për pjesëmarrjen e tyre të ardhshme në Semestrin Evropian, i cili është niveli më i lartë i koordinimit të politikave ekonomike të Bashkimit Evropian. Zëvendësministri i Financave, z.Filip Nikolloski dhe zëvendësguvernatorja e Bankës Qendrore, znj.Emilija Nacevska e përfaqësuan vendin tonë në Bruksel.