Besimi: Deficiti në Buxhet përfshin investimet kapitale

November 24, 2022
min lexim

Buxheti për vitin 2023 është realitet dhe merr në konsideratë gjendjen aktuale nën ndikimin e krizës energjetike dhe atë të çmimeve, përpjekjet për rimëkëmbjen dhe përshpejtimin e rritjes ekonomike, si dhe nevojën për servisimin e detyrimeve dhe interesin. Kjo u theksua nga ministri i Financave, Fatmir Besimi, në diskutimin parlamentar në Komisionin për Financim dhe Buxhet.

Marketing

 “Kur diskutojmë për buxhetin duhet ta marrim në konsideratë realitetin. Nuk ka deficit të ri në buxhet. Janë 250 milionë euro për masat, me ç’rast nëse nuk do të kishte krizë, deficiti do të ishte më i ulët për atë vlerë. Nëse nuk mendojmë për zhvillim, nuk do të kishte 250 milionë euro për Korridorin 8 dhe po të mos ishte interesi nga borxhet e akumuluara prej 210 milionë eurove nuk do të kishte deficit”, tha ministri Besimi dhe shtoi se ky buxhet është në përputhje me rregullin e artë në financat publike, respektivisht investimet kapitale planifikohen në nivel më të lartë se deficiti.

Sipas ministrit, ajo që duhet theksuar dhe ajo që e dallon këtë deficit nga ai i mëparshmi është se ky është më i ulët se investimet kapitale.

“Investimet kapitale janë planifikuar në vlerë prej 48.9 miliardë denarëve. Niveli i planifikuar i shpenzimeve kapitale për vitin 2023 ka pjesëmarrje prej 5.3% të PBB-së dhe janë 52.3% më të larta se plani për vitin 2022.

Investimet kapitale janë destinuar për intensifikimin e realizimit të projekteve infrastrukturore, gjegjësisht për investime në infrastrukturën rrugore dhe hekurudhore, infrastrukturën energjetike dhe komunale, si dhe investime kapitale për përmirësimin e kushteve në shëndetësi, arsim dhe sistemin social, bujqësi, kulturë, sport, mbrojtjen e mjedisit jetësor dhe gjyqësor, theksoi ministri Besimi dhe shtoi se janë paraparë mjete të konsiderueshme prej 15 miliardë denarëve për Korridorin 8, pjesën rrugore Tetovë – Gostivar, ndërtimin e autostradës së re Trebenishtë – Strugë – Qafë Thanë, ndërtimin e aksit Gostivar-Bukojçan dhe Korridorin 10 d, pjesën Prilep – Manastir.

Ministri theksoi se aspekt tjetër është edhe mënyra se si sigurohen mjetet dhe se strategjia e zbatuar është e rëndësishme.

“Të gjitha masat antikrizë të destinuara për përkrahjen e qytetarëve dhe ekonomisë për ta zbutur ndikimin e krizës energjetike dhe atë të çmimeve duhej të siguroheshin. Pyetja është nëse duhej të siguroheshin me tatime më të larta, me më shumë shkurtime apo me huamarrje me kosto të lartë. “Ne u përcaktuam që të bëjmë shkurtime, gjë që u bë me Rishikimin, si dhe me financime me instrumente më të lira se ato në tregjet financiare klasike”, tha ministri.

Ai shtoi se me buxhetin e vitit 2023 sigurohet servisimi i rregullt i detyrimeve që rezultojnë nga politikat dhe masat e parashikuara në këtë dokument, si dhe shlyerja e borxhit.

“Menaxhimi i financave publike është sfidë e veçantë në kushtet e një mjedisi ekonomik turbulent në Evropë, por vijojmë me konsolidimin e planifikuar fiskal, përmirësimin e menaxhimit të financave publike, si dhe ridizajnimin e strukturës së tyre”, theksoi ministri i Financave.

Diskutimi për Propozim buxhetin në Komisionin për Financim dhe Buxhet, në përputhje me Rregulloren e Kuvendit do të zgjasë më së shumti 10 ditë. Në tekstin e propozuar nga deputetët janë parashtruar 263 amendamente.

Marketing

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

​12 vjeçari përjashtohet nga shkolla pasi preu flokët në stilin e brazilianit Ronaldo

Story i radhës

Rama: Kam bërë 3 vite e kusur ecejake tek Princi i Kurorës për Portin e ri të Durrësit

Të fundit nga

ShkoLartë