Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Sali Berisha, ka hedhur akuza të rënda ndaj kryeministrit Edi Rama dhe kryetares së Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, që sipas tij, po bllokojnë rezolutën për gjenocidin serb në Kosovë duke mos e dërguar në Kuvend.
Në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së, Berisha tha se kjo rezolutë, e dorëzuar nga deputetët e kësaj partie, nuk paraqitet as për shqyrtim në komisione.
“Problemi i dytë madhor që bllokohet prej një viti është rezoluta për gjenocidin serb në Kosovë. Kjo rezolutë, e dorëzuar nga deputetët tanë, nuk paraqitet as për shqyrtim në komisione. Të ishte agjente e betuar e Beogradit, Linda e Parlamentit, ndryshe nuk mund të sillej. Natyrisht, është apo nuk është atë nuk e di, se nuk kam të dhëna. Por di që Edi Rama është një argat i Vuçiq, dhe di që ai e bllokon totalisht këtë me urdhër të tij. Gjenocidi serb në Kosovë, është një gjenocid ciklik. Aktet e fundit e këtij gjenocidi u kryen në operacionin ‘Patkoi’, gjatë luftës në vitin 1999”, tha Berisha.
Përpos rezolutës për gjenocid serb në Kosovë, Berisha paralajmëroi edhe një rezolutë për gjenocidin serb në fshatrat në veri të Shqipërisë në disa beteja gjatë Luftës së Parë Ballkanike në vitet 1912 dhe 1913.
Sipas tij, një komision i krijuar për hetimin e shkaqeve dhe krimeve të luftës, i përbërë nga personalitete të shquara të kohës në fushën e jurisprudencës, ka konkluduar se barbaritë e Lumës janë gjenocid.
Ai tha se qëllim i këtyre rezolutave është njohja e së shkuarës dhe reflektim që e ardhmja të mos përsërisë akte të tilla.
Berisha: Do insistojmë të paraqitet rezoluta për gjenocidin serb në Kosovë
“Ndaj dhe ne nuk pajtohemi me këtë, dhe do të insistojmë derisa të paraqitet rezoluta që dënon gjenocidin serb në Kosovë. E paralajmëroj që do paraqitet edhe rezoluta që dënon gjenocidin serb të Lumës, i cili është ndërkombëtarisht i njohur. Nuk ka asnjë qëllim tjetër, përveçse njohja e të shkuarës dhe reflektimi mbi të që e ardhmja të mos lejojë përsëritjen e këtyre akteve”, tha Berisha.