Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha gjatë një takimi me anëtarët e Departamentit të Shëndetësisë në selinë blu ka thënë se sistemi shëndetësor në vend është pllakosur nga një sëmundje e rëndë.
Berisha deklaroi se kryeministri Rama dhe qeveria e tij kanë ligj të parë vjedhjen, teksa shtoi se në vend vazhdohet me “check-up”-et pa rezultate dhe me vjedhjet me sterilizimin e pajisjeve mjekësore.
Sakaq, Berisha tha se në vend rektori i spitalit mban 10 poste brenda institucionit, ndërsa shtoi se një gjë e tillë nuk ndodhte as gjatë diktaturës.
“Sistemi jonë është pllakosur nga një sëmundje e rëndë, besoj se biem dakord që një ndryshim rrënjësor është i domosdoshëm para se të nisim ndryshimin e madh në çdo sistem në vend. Ju dhe çdo njeri kur më dëgjon se unë akuzoj direkt Ramën për vjedhjen në sterilizim apo check-up mund të thoni me të drejtë se nuk mund të jetë ai. Një kryeministër që del nga ekrani në ekran me një pincë të thyer dhe thotë se me këtë operoni, vetëm interesi i tij mund ta çojë në atë pikë që nuk dua ta përmend. Ai e përdori atë pincën e marrë në plehra për të justifikuar vjedhjen e tmerrshme që bëhet me sterilizimin. Ai që e mori këtë ishte një murator, kjo është dramë. Vilma Nushi ishte dhe më parë, ne nuk dallonim bindjet partiake, përfaqësonte edhe farmaceutikën e Beogradit atë kohë, por ligjin nuk e ndryshoi dot. Ligji ynë thoshte që do shiteshin ilaçet e miratuara që shiten në BE dhe SHBA. Vilma ishte familjarisht e lidhur me Edi Ramën.
Ne me treguesit më mjeranë vazhdojmë check-up me detyrim pa asnjë rezultat përveç vjedhjes. U ndala te PPP që lidhen direkt me Edi Ramën, lidhen direkt me ministrat e zyrtarët e lartë të sistemit të cilët ligjin e parë kanë vjedhjen e ndaj katandisemi ne në këtë mënyrë. Paguhet kompleti 800 mijë dhe mjeku 25 mijë. Të gjitha këto i ka vendosur sistemi i vjedhjes nga kjo qeveri. Pra duhet të angazhohemi në këtë veprimtari, me të gjithë mjekët e punonjësit e shëndetësisë, të ulemi në një debat të hapur, sot ka standarde që nuk ekzistonin në diktaturë. Nuk mbante rektori 10 poste brenda spitalit, nuk ndodhte, ua garantoj. Këta i kanë shndërruar këto në klube shokësh, jo vetëm në shëndetësi”, tha ai.