Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u paraqit të hënën në SPAK, në zbatim të masës së sigurisë “detyrim paraqitjeje”.
Pas daljes nga Prokuroria e Posaçme, Berisha dha një deklaratë për mediat, ku akuzoi SPAK-un mos hetim të shkeljeve zgjedhore, duke iu referuar edhe raporteve të institucioneve ndërkombëtare për zgjedhjet e 11 majit.
“Edhe njëherë dua të denoncoj krimin monstruoz të amnistisë nga ky institucion partiak të krimit elektoral. Krimi elektoral në Shqipëri është sot i certifikuar me dokumentet më themelore të institucioneve ndërkombëtare që merren me zgjedhjet.
Krimi elektoral në Shqipëri ka arritur formën më të egër, më barbare, atë që quhet parti-shtet. Institucionet më serioze ndërkombëtare, ODIHR, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës dhe Parlamentin Evropian kanë gjetur se zgjedhjet e 11 majit, partia dhe shteti, institucioni dhe strukturat partiake u shkrinë në një”, tha Berisha.
Burimi: botasot.info


