spiropali pas largimit nga drejtimi i ps se me pret nje koke me dalin shtate 6b02dbbca8288

Spiropali pas largimit nga drejtimi i PS-së: Më pret një kokë, më dalin shtatë

November 22, 2026
min lexim

Ish-ministrja e Jashtme e Shqipërisë dhe ish-kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, ka reaguar me një postim të gjatë në Facebook, disa ditë pasi u largua nga forumet drejtuese të Partisë Socialiste.

Në Asamblenë e PS-së, më 14 nëntor, kryeministri Edi Rama kërkoi përjashtimin e saj dhe të deputetit Plarent Ndreca nga partia. Asambleja nuk e hodhi në votim këtë kërkesë, por Spiropali mbeti jashtë organeve drejtuese të socialistëve.

“Ca që s’më njohin po janë të habitur sikur çoç më ndodhi. U duket sikur ma prenë kokën. Dhe mund të jetë e vërtetë. Por s’më bën asnjë përshtypje. Jam si ato qëniet mitologjike që po më preve 1 kokë, më dalin 7 të tjera”, shkruan Spiropali.

Ajo thotë se nuk ka ndër mend të tërhiqet: “Unë nuk pendohem, nuk lutem, nuk gjunjëzohem, nuk pres mëshirë kurrë dhe prej askujt. Për mua nuk ekziston mëshira. Për mua ekziston Drejtësia.”

Pa përmendur asnjë emër, Spiropali shkruan se ajo që urren më shumë dhe që i konsideron “të keqen më të rrezikshme” janë “hajdutët dhe manipulatorët që mbahen për liberalë, kozmopolitë, të drejtë, të squtë, europianë, por janë tiranë”.

Në postim ajo kritikon edhe gazetat, portalet dhe televizionet që, sipas saj, “shpifin” dhe “thurin intriga”, duke shtuar se vetë lexon libra, “kurrë në kompjuter, vetëm në letër”. Spiropali e krahason veten me Perandoreshën e Kinës dhe me Kleopatrën, ndërsa shkruan se ka “10 milionë zemra të kuqe të përgjakura” për shqiptarët kudo që janë.

“Kjo jam unë. Të tjerat janë llafe kafeneje”, përfundon postimi, i cili brenda një ore mblodhi mbi 1.600 pëlqime dhe qindra komente.

Spiropali ishte kryetare e Kuvendit të Shqipërisë nga korriku 2024 deri në shtator 2025 dhe më pas ministre e Jashtme, derisa Rama e shkarkoi në shkurt të këtij viti. Që atëherë ajo është bërë një nga zërat më kritikë brenda PS-së. Nuk e mbështeti mbrojtjen e Belinda Ballukut nga kërkesa e SPAK-ut dhe, në mes të protestave kundër qeverisë, i kërkoi Ramës një “marrëveshje të re për Shqipërinë”.

Postimi i plotë i Spiropalit:

Sikur çoç më ndodhi

Ca që s’më njohin po janë të habitur sikur çoç më ndodhi.

U duket sikur ma prenë kokën. Dhe mund të jetë e vërtetë. Por s’më bën asnjë përshtypje. Jam si ato qëniet mitologjike që po më preve 1 kokë, më dalin 7 të tjera.

Mirëpo, pavarësisht nga numri i kokave të prera, 1, 7, apo 17, unë nuk pendohem, nuk lutem, nuk gjunjëzohem, nuk pres mëshirë kurrë dhe prej askujt. Për mua nuk ekziston mëshira. Për mua ekziston Drejtësia. Në këtë kuptim unë për askënd mëshirë nuk kam.

Për të mos u habitur për çfarë ndodh ose nuk ndodh me mua, duhen ditur disa gjëra, duhen pasur disa njohurira.

Për shembull, duhet ditur se, në një tjetër kohë, në një tjetër shekull, kur demokracia akoma nuk ishte shpikur, nëse do isha Perandoreshë e Kinës, për ta mbrojtur botën nga shpirtzinjtë, do të ndërtoja një Mur Kinez njëqind herë më të gjatë dhe dhjetë herë më të gjërë e më të lartë. Ndërsa po të isha Kleopatra, pa m’u trembur syri, pa më lëvizur nervi, do dënoja ose do falja gjthkënd që e meriton, dhe do ikja të flija e qetë si qengj, sepse bëra çfarë duhej bërë për të mirën e vendit tim që e dua pafund.

Unë nuk lexoj as nuk dëgjoj gazeta që kërcënojnë, shkrime që tregojnë përralla, portale që shpifin, televizione që thurin intriga, hajdutë që hiqen të ndershëm nëpër banaqe, dhe të tjera dreqnira provizore. Në vend të të gjitha këtyre, unë bëj diçka të thjeshtë dhe madhështore, të përhershme dhe të pavdekshme. Ulem e lexoj libra. Kurrë në kompjuter. Vetëm në letër.

Për mua, restoranti është vendi më i papërshtatshëm për të ngrënë. Specialitetet që servir janë më të këqijat. Çfarë pëlqej unë, nuk është havjari, as korani. Është byreku me spinaq ose hithra në një katund të Kelmendit, Zadrimës, Kolonjës, Labërisë. Mu në mes të fshatit. Mu nën hijen e lisit të kuvendit. Dhe çfarë pi unë, nuk janë as vera as shampanja, por uji ose dhalla.

Unë duroj, rri pa ujë me ditë e me javë si deveja, pres si ariu sa të ikë dimri e të vijë behari.

Unë jam si dhia. Ha gjëra të zgjedhura duke u ngjitur e zbritur nëpër shkrepa, pa u frikësuar se rrëzohem nga shkëmbi, jo më të rrëzohem e ngjitem nga froni apo kolltuku, që s’më bën asnjë përshtypje.

Unë ngul këmbë si mushka për diçka të drejtë. Jo me javë e me muaj, por deri në fund të frymës, deri matanë jetës e përtej vdekjes.

Çfarë unë urrej me gjithë shpirt dhe e konsideroj të keqen më të rrezikshme, janë hajdutët dhe manipulatorët që mbahen për liberalë, kozmopolitë, të drejtë, të squtë, europianë, por janë tiranë.

Unë jam ajo që fryj erën, sjell shiun, lëshoj breshërin, ngre cunamin, thaj detet, rrafshoj malet, nxij ditën, zbardh natën.

Unë jam ajo që mbaj ndezur zjarrin.

Unë jam ajo që e tillë nuk u bëra, por e tillë isha dhe do jem e tëra që kur linda.

Unë nuk kam 1, unë kam 10 milionë zemra të kuqe të përgjakura, të cilat ua fal të gjitha 10 milionë shqiptarëve kudo ku janë, të rrahin të lira, secila me muzikën e vet, të gjitha bashkë me muzikën më të bukur të botës, atë të dashurisë së pafundme për Shqipërinë prej së cilës presim veç një shkelje syri për të bërë gjithçka.

Kjo jam unë.

Të tjerat janë llafe kafaneje.

Dhe ka që habiten sikur çoç më ndodhi në një mbledhje.

 

Burimi: botasot.info

VERO

EVN MACEDONIA

MATINA DENTAL CLINIC

AUTO SHKOLLA BEKO

sa larg mund te shkoje dora e shtetit ne hage 6b02db9039d77
Lajmi i mëparshëm

Sa larg mund të shkojë dora e shtetit në Hagë?

lahore ne krye te listes se qyteteve me te ndotura ne bote 6b02dbfa8cd21
Lajmi i radhës

Lahore në krye të listës së qyteteve më të ndotura në botë

Të fundit nga

Sa larg mund të shkojë dora e shtetit në Hagë?

Katër ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po përgatiten për një tjetër betejë juridike në Hagë – këtë herë për të kundërshtuar aktgjykimin që i dënoi me gjithsej 81 vjet burgim për
ShkoLartë