Çështja nëse dy grupimet në Partinë Demokratike do të përdorin apo jo zgjedhjet lokale për t’u bashkuar, nuk ka marrë një zgjidhje përfundimtare.
Por, sot Sali Berisha hodhi hapin e parë konkret, bashkim me palën tjetër përmes reformës territoriale. Ndarja e re që propozojnë dy grupimet në PD është pothuajse e ngjashme, pasi harta e re parashikohet të zgjerohet me 33 bashki të reja, ndërsa qarqet zëvendësohen me një numër më të vogël rajonesh.
“Sot dëgjoj që një grup deputetësh të po kësaj partie, në mënyrë të pavarur, kanë dorëzuar një draft me 94 bashki. Unë mendoj se ky draft i dorëzuar dhe ky që është përgatitur këtu dhe është më i thelluar në çdo aspekt, le të ulemi bashkërisht dhe të arrihet në një draft të PD-së, i cili të përfaqësojë interesat më të mira të qytetarëve shqiptarë“, tha Berisha.
Por, bashkimi përmes reformës që propozon Berisha duket i vështirë, përsa kohë grupimi Alibeaj kërkon bekimin e ndërkombëtarëve për ndryshimin e hartës territoriale. Pak orë pasi depozituan në Kuvend projekligjin që parashikon ndarjen e vendit në 94 Bashki, një grup deputetësh që nuk mbështesin linjën e Berishës, u takuan me ambasadoren amerikane Yuri Kim dhe trupën e ambasadorëve.
“Partnerët ndërkombëtaret për reformat e rëndësishme është e udhës që të kenë hapësirën për t’u njohur dhe për të marrë vlerësimet e tyre”, u shpreh Alibeaj.
Por, Berisha këmbëngul se opozita duhet ta shfrytëzojë këtë moment, si një moment për tu bashkuar.
“Mendoj se duhet të diskutohet edhe me partitë aleate në parlament, duhet të diskutohet me Partinë e Lirisë, duhet të diskutohet me të gjitha partitë opozitare, Natyrisht, ne kurrë nuk bëhemi pjesë e një loje të qeverisë dhe as të pazareve me të”, tha Berisha.
Berisha duket se i druhet qe grupi Alibeaj bashke me socialistet kane votat për të ndryshuar si hartën territoriale, ashtu edhe numrin e qarqeve qe kërkon ndërhyrje në kushtetute. Ndërkohë që grupi i Alibeajt, kërkoi votat të majtëve.
“Uroj që deputetët e PS të miratojnë një reformë për të mirën e qytetarëve dhe për të mirën publike”, u shpreh Dhurata Çupi.