Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiqi ka lajmëruar bojkotin e Samitit të së martës të BE-së dhe PB, që do të zhvillohet në Tiranë. Ky bojkot nuk ka lidhje aq me faktin se ky samit bëhet në Tiranë e as me protestën e opozitës shqiptare, sa ka me orientimin e Serbisë nga pikëpamja gjeopolitike e gjeostrategjike drejt Rusisë.
Nëse lexon fjalimin e Vuçiqit dhe reagimin e tij ndaj qasjes europiane për Serbinë, vë re disa elementë:
1. Presidenti serb është i pakënaqur me një Fuqi Europiane, të cilën nuk e përmend me emër, por që herë tjera e ka artikuluar. Bëhet fjalë për Gjermaninë. Sipas tij Gjermania është një vend pro-Kosovës dhe kundër Serbisë! Narrativë e ndarjes së Gjermanisë nga të tjerat Fuqi Perëndimore është një provokim i sojit serb, me qëllim që të thotë se “Serbia nuk paska probleme me Perëndimin në tërësi” dhe të përçajë faktorin perëndimor ndaj qasjes për Kosovën.
2. Ai thotë se nuk heq dorë kurrë nga Kosova. Kuptojeni qartë, nga ndarja e Kosovës. Sepse pjesën që mbetet pas ndarjes nuk e do, se nuk i hyn në punë. Kjo bazohet veç tjerash edhe në një memorandum mirëkuptimi për ndarjen e Kosovës, të cilën e kanë firmosur para pesë vitesh tre persona: – Aleksandër Vuçiqi, Hashim Thaçi dhe Edi Rama. Nuk është obligativ ai memorandum, por shpreh mirëkuptimin e palëve për ndarjen e Kosovës. Bazohet edhe te kontributi që kryeministri i Shqipërisë ka dhënë për ta rehabilituar Vojisllav Sheshelin dhe ministrin e tij të Jashtëm, Ivica Daçiqin!
3. Fjalimi I Vuçiq shpreh zhgënjim nga ato që po ndodhin në Kosovë. Në Qeverinë e Kosovës ministri i Listës Serbe, u zëvendësua me një figurë dhe këshilltare pro-perëndimore, po nga komuniteti serb, të cilët Vuçiq i konsideron si agjentë dhe bashkëpunëtorë të Perëndimit. Kjo i thotë të gjitha. Kushdo që nuk është dakord me politikat zyrtare të Beogradit në Kosovë është agjent i Perëndimit. Mendësi putiniste. Presidenti i Serbisë prej dje ka vendosur që vendin e tij ta asociojë me Rusinë kundër Perëndimit. Ky është shkaku themelor i refuzimit dhe bojkotimit të Samitit të Tiranës.
4. Nga fjala e Vuçiqit kuptojmë se ai nuk e ka ndërmend jo vetëm të heq dorë nga Kosova, por as t’i bindet BE-së për vënien e sanksioneve ndaj Rusisë. Ky veprim na bën të besojmë se Beogradi ka besim se Moska do ta fitojë luftën në Ukrainë. Vuçiqi është i informuar se cilat do të jenë veprimet e Kremlinit në të ardhmen në Ukrainë e përtej saj dhe beson se këto veprime do ta sjellin Rusinë në pozitën e një Fuqie globale. Në këto rrethana ai nuk heq dorë nga aleanca me Rusinë.
5. Arsyetimet për protestën dhe për faktin që Samiti bëhet në Tiranë janë të dorës së dytë. Natyrisht që kanë ndikim, por nuk janë përcaktuese në qëndrimet e Beogradit dhe të presidentit të Serbisë. Thelbi është se Vuçiqi është i rrethuar me bashkëpunëtorë pro-rusë e agjentë të shërbimit të Rusisë. Edhe vetë është një admirues i pakorrigjueshëm i politikave të Vladimir Putinit!