Nuk do të vazhdojë masa për ngrirjen e çmimeve të produkteve ushqimore, duke pasur parasysh se çmimi i disa produkteve tashmë është më i ulët se niveli i përcaktuar. Inflacioni në pjesën e produkteve ushqimore po ulet dukshëm, kështu që presim që në qershor inflacioni në vend të jetë më i ulët se dhjetë për qind. Këtë sot e theksoi ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, pas takimit me ministrin e Tregtisë së Jashtme dhe Marrëdhënieve Ekonomike të Bosnjës e Hercegovinës, Stasha Kosharac.
Bekteshi theksoi se situata me çmimet e produkteve po ndiqet, kështu që nëse vërehet keqpërdorim nga tregtarët, do të zbatohen masa adekuate.
“Në bazë të të dhënave të fundit, inflacioni këtë vit do të jetë nën nivelin e projektuar. Në pjesën e masave të ndryshme, ne në bazë ditore bëjmë analiza dhe gjithnjë mund të miratohen, këtë do ta bëjmë gjithsesi në bashkëpunim me odat ekonomike”, tha Bekteshi.
Në pjesën e energjetikës ai sqaroi se me ministrin e Financave dhe kryetarin e Komisionit Rregullator për Energjetikë dhe anëtarët e tjerë të Këshillit Energjetik në kuadër të Qeverisë muajin e ardhshëm do të bisedojnë për modelin e ri për llogaritje të çmimit të energjisë elektrike, por, i porositi qytetarët se pavarësisht si do të jetë modeli i përcaktuar, shtrenjtim të energjisë elektrike nuk do të ketë.
“Mundem që prej sot tu bëj me dije qytetarëve që nuk do të paguajnë rrymë më të shtrenjtë nga 1 korriku deri në fund të vitit”, tha Bekteshi.
Përndryshe, dy ministrat paraprakisht sot nënshkruan marrëveshjet dypalëshe mes Qeverive të të dyja vendeve – për bashkëpunim ekonomik dhe bashkëpunim në sferën e turizmit.