Ish-prokurori i Krimeve të Rënda Eugen Beci komenti në emisionin Now, në Euronews Albania interpretimin e Komisionit të Venecias lidhur me mandatin e deputetes Olta Xhaçka.
Sipas tij, nga pikëpamja procedurale, Venecia ka dhënë një përgjigje shteruese kur thotë se vendimet e Kushtetueses janë të detyrueshme edhe për deputetë edhe për Kuvendin e Shqipërisë.
Beci u shpreh se Gjykata Kushtetuese nuk duhet ta kishte futur vendin në këtë ngërç duke çuar në Venecia një çështje për të cilën duhet të kishte dhënë vetë përgjigje shteruese
“Kemi të bëjmë me procedurë dhe materie, procedurës i ka dhënë përgjigje shteruese Komisioni i Venecias, që thotë vendimet e Kushtetueses janë të detyrueshme edhe për deputetë dhe për kuvendin e Shqipërisë. Në republikën e Shqipërisë i vetmi organ superior që interpreton Kushtetutën është Gjykata Kushtetuese dhe vendimet e kësaj gjykate janë të detyrueshme, se Venecia shpjegon saktësisht që ndarja e pushteteve, besnikëria ndaj shtetit të së drejtës nënkupton faktin që parlamenti i republikës së Shqipërisë ka kompetenca që nuk kanë lidhje me heqjen apo jo të mandatit. Duke qenë që në Kushtetutë mandati i një deputeti konstatohet si i papajtueshëm vetëm nga Gjykata Kushtetuese deputetët e Kuvendit kanë vetëm një rrugëzgjidhje, të votojnë vendimet e kushtetueses sepse, në të kundërt bie koncepti i ndarjes dhe pavarësisë së pushteteve. Gjykata Kushtetuese nuk duhet ta çonte vendin në këtë ngërç që të tallej Venecia me republikën e Shqipërisë por ta thoshte ka apo s’ka papajtueshmëri, mandati ndërpritet apo jo. Përgjigjja duhet të ishte shteruese”, tha ai.
Burimi: botasot.info