BE padit Kinën në Organizatën Botërore të Tregtisë

January 27, 2022
min lexim

Bashkimi Evropian njoftoi të enjten se ka paraqitur në Organizatën Botërore të Tregtisë një padi ndaj Kinës për praktikat e saj diskriminuese ndaj Lituanisë, e cila njohu rishtazi përfaqësimin diplomatik të Tajvanit. BE-ja thotë se mosmarrëveshja e Kinës me këtë vend balltik po dëmton edhe eksporte të tjera të Bashkimit Evropian.

Njoftimin në emër të BE-së e bëri Zëvendës Presidenti i Komisionit Evropian, njëkohësisht edhe Komisioner për Tregtinë, Valdis Dombrovskis.

“Në fillim të dhjetorit, Kina vendosi masa shtrënguese ndaj eksporteve lituaneze dhe ndaj eksporteve të produkteve të BE-së që përmbajnë komponentë lituanezë. Kina po ndërpret edhe eksportet e saj drejt Lituanisë. Ne besojmë se praktikat e zbatuara në këtë rast janë në shkelje të rregullave të OBSH-së”, tha zoti Dombrovskis.

Lituania theu traditën e deritanishme diplomatike duke rënë dakort që zyra e Tajvanit në Vilnius të mbajë emrin Tajvan dhe jo Taipei kinez, një term i përdorur nga vende të tjera për të mos ofenduar Pekinin.

“Lituania dëshiron marrëdhënie më intensive ekonomike, kulturore dhe shkencore me Tajvanin. Kjo ishte njoftuar në programin e qeverisë dhe nuk duhet të kishte qenë suprizë për askënd”, tha Kryeministrja e Lituanisë, Ingrida Simonyte.

Kina e konsideron Tajvanin pjesë të territorit të saj që nuk gëzon të drejtën e akreditimit diplomatik. Pekini dëboi ambasadorin lituanez dhe tërhoqi ambasadorin e tij. Muajin e kaluar, Lituania mbylli ambasadën e saj në kryeqytetin kinez.

Tregtia e 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian menaxhohet nga Komisioni Evropian, që thotë se ka përpiluar evidencën e duhur për shkeljet e Kinës. Komisioni thotë se nga vetë statistikat e doganave kineze rezulton se ka një rënie prej 91% të tregtisë me Lituaninë.

“Dua të jem i qartë. Këto masa përbëjnë rrezik për integritetin e tregut të përbashkët të BE-së. Ndikojnë tek tregtia brenda BE-së dhe tek zinxhiri i furnizimit të BE-së, dhe kanë një efekt negativ ndaj industrisë së BE-së. Prandaj po e çojmë çështjen në OBT. Kina mbushi rishtazi 20 vjet anëtarësim në OBT, ku ra dakort të zbatojë rregullat shumëpalëshe. Sot ne i bëjmë thirrje Kinës t’i zbatojë ato rregulla, për hir të sistemit të tregtisë botërore”, tha zoti Dombrovskis.

Pekini reagoi nëpërmjet ministrisë së jashtme duke thënë se Kina veproi në përputhje me rregullat e OBT-së dhe se mosmarrëveshja e saj me Lituaninë është politike.

Faza e parë e procesit në Organizatën Botërore të Tregtisë parashikon fillimisht konsultime me qëllim zgjidhjen e mosmarrëveshjes në mënyrë miqësore. Nëse nuk arrihen rezultate brenda 60 ditëve, BE-ja mund të kërkojë që mosmarrëveshjen ta zgjidhë një komision i OBT-së./Voa/

GAZETA.MK

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Ковачевски: Да бидеме гласни против антисемитизмот, расизмот, ксенофобијата и другите облици на нетолеранција

Story i radhës

MPPS: Rritje të rrogës minimale do të ketë, por …

Të fundit nga

ShkoLartë