Udhëheqësit e Bashkimit Evropian dhe Kinës po takohen sot për herë të parë pas dy vitesh. Brukseli ka ushtruar trysni ndaj Pekinit për garanci se nuk do ta furnizojë Rusinë me armë dhe se nuk do të ndihmojë Moskën të anashkalojë sanksionet perëndimore të vendosura lidhur me sulmin ndaj Ukrainës.
Me një gjuhë jashtëzakonisht të hapur, zyrtarët e BE-së thanë se çdo ndihmë dhënë Rusisë do të dëmtonte reputacionin ndërkombëtar të Kinës dhe do të rrezikonte marrëdhëniet me partnerët e saj më të mëdhenj tregtarë, Evropën dhe Shtetet e Bashkuara.
Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dhe ai i Këshillit Evropian Charles Michel, së bashku me shefin e politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, filluan bisedimet virtuale me kryeministrin kinez Li Keqiang. Ata pritet të flisin më vonë të premten me Presidentin Xi Jinping.
Një zyrtar i BE-së tha se qëndrimi i Kinës ndaj Rusisë ishte një çështje së cilës është shumë e vështirë t’i përgjigjesh. Një tjetër zyrar vuri në dukje se mbi një e katërta e tregtisë globale të Kinës vitin e kaluar ishte me bllokun dhe Shtetet e Bashkuara, kundrejt vetëm 2.4% me Rusinë.
Ministri i Jashtëm kinez Wang Yi përsëriti thirrjen për bisedime paqeje këtë javë, duke shtuar se u duhet dhënë përgjigje shqetësimeve legjitime të të gjitha palëve./VOA