2
Shkup, 8 dhjetor – Nga sot përpara objektit të Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë së Veriut do të kujdestarojë Fronti Evropian. BDI sot bashkë me një turmë qytetarësh prezantoi nismën “Roja për Gjuhën” e cila vjen si formë proteste ndaj seancës së Gjykatës Kushtetuese e cila më 11 dhjetor pritet të vendosë për disa dispozita të Ligjit të Gjuhëve.
Arbër Ademi tha se do të qëndrojnë para Gjykatës Kushtetuese ditë dhe natë, me shatorë e karrige.
“Ne shpallim iniciativën “Roja e Gjuhës”, një nismë historike për të mbrojtur të drejtën tonë të barazisë dhe identitetit. Nga sot më 8 dhjetor ne do të qëndrojmë këtu para Gjykatës Kushtetuese, ditë dhe natë, në mënyrë paqësore për të mbrojtur të drejtat tona dhe për të siguruar që asnjë vendim mos të prishë atë që kemi ndërtuar me shumë sakrificë”, tha Ademi.
Nga atje ju bënë thirrje të gjithë qytetarëve pa dallim etnie të cilët besojnë në barazo që të përkrahin këtë nismë.
“Gjuhën nuk e japim” dhe “UÇK” ishin brohoritjet që u dëgjuan nga qytetarët që ishin mbledhur aty gjatë kohës që Ademi dha deklaratën për media.
Kryeministri i RMV-së Hristijan Mickoski sot tha se të mërkurën nuk do të ndodhë asgjë në seancën e Gjykatës Kushtetuese. Ai ka thënë se Bashkimi Demokratik për Integrim përpiqet të krijojë ndasi dhe tensione etnike.
“BDI për 20 vjet ka emëruar gjyqtarë kushtetues, madje ata e dinë se të mërkurën nuk do të ndodhë asgjë. Pastaj do të dalin në publik dhe do të thonë: Ja, ne ushtruam presion, prandaj nuk ndodhi asgjë. Të mërkurën nuk do të ndodhë asgjë, ka procedura, seanca përgatitore, e kështu me radhë, por ata sërish po i keqpërdorin shqiptarët, maqedonasit, duke i munduar me përpjekje për ndarje dhe për të tërhequr vëmendjen”, tha Mickoski.
Gjithashtu sot gjatë ditës, rinia e koalicionit VLEN ka ironizuar me letrën që BDI ua ka dëruar ndërkombëtarëve ku kishin kërkuar që të reagojnë që të parandalojnë vendimet e mundshme për shfuqizimin e neneve të Ligjit për Gjuhët.
“U bëjmë thirrje SHBA-ve, BE-së, NATO-s dhe garantuesve tjerë të Marrëveshjes së Ohrit që të veprojnë me vendosmëri. Mbijetesa jonë tani është më e rëndësishme se kurdoherë. Kemi gjithë ato biznese për t’i drejtuar, gjithë atë pasuri për ta gëzuar! Ju lutemi mos na lini të përfundojmë në burg. Ky është momenti i të vërtetës. Përfitimet tona financiare në kurriz të qytetarëve nuk janë thjeshtë histori – ato janë dëshmi të keqpërdorimeve që kemi bërë dhe të parave që kemi vjedhur. Na mbroni nga ligji që të mos shkaktojmë mos siguri dhe destabilitet ne vend”, thanë mes tjerash nga koalicioni VLEN.
BURIMI: zhurnal.mk