Situatat e krizave ekonomike dhe asaj energjitike së fundmi, mund të menaxhohen më lehtë nëse ka një bashkëpunim mes pushtetit edhe opozitës, vlerëson eksperti ekonomik, Abil Baush.
Ai thekson se kemi shumë shembuj nga vendet e zhvilluara ku me një bashkërendim te pushtetit dhe opozitës janë zgjidhur çështje të rëndësishme për shtetin, andaj në situatën në të cilën ndodhemi kjo temë nuk guxon të mbetet tabu.
Sipas tij takimet mes kryeministrit dhe liderit të opozitës janë të mireseardhura pasi mund të ndikojnë në zbutjen e krizës.
“Vetëm sa për një rikujtim të vogël. Në vitin 2008 dhe kriza që ndodhi në ShBA kur kryetari i posazgjedhur Obama dhe kryetari në shkuarje, kandidati që ishte nga ana e republikanëve u ulën bashkë dhe biseduan për dalje nga kriza financiare që kaploi ShBA-të. Nëse munden superfuqitë të gjejnë mënyra që opozita dhe pozita të bashkërendojnë për dalje të krizave, atëherë mundet edhe në Maqedoni në situata krizash të bisedohet. Shpresoj se nga aty do te dalin instruksione, do të dalin vendime të cilat do t’i ndihmojnë shtetit që sa më butë të kalojë nga kjo situatë”, tha eksperti ekonomik, Abil Baush.
Përndryshe, në takimin mes Mickovskit dhe kryeministrit në qeveri, kreu i opozites propozoi resurse me të cilat sipas tij do të sigurohej energjia elektrike më e lirë, kurse nga pushteti kërkuan mbeshtetje nga opozita për miratimin e ligjeve që janë në procedurë parlamentare e që kanë të bëjnë me krizën energjetike.