Fabien Barthez, ish-portier historik i Francës, ka dhënë një intervistë të gjatë për L’Equipe. Ish-kampioni i botës dhe Europës ka folur për rolin e portierëve dhe si futbolli modern e ka ndryshuar thellësisht stilin dhe mënyrën e lojës.
Mes temave të shumta për të cilat ka folur Barthez ka qenë edhe ndeshja e 1/8-ave të Champions League mes Real Madrid dhe PSG, në të cilën Donnarumma ka qenë protagonist i një gabimi që i ka hapur rrugën përmbysjes së madhe të Los Blancos.
PORTIERË – “Kur më ndodh të shikoj një portier të bëjë një gabim, ndihem keq për të. Dhe mendoj se futbolli po shkon në drejtimin e gabuar. Në pesë ose gjashtë vitet e fundit kjo lojë ka ndryshuar shumë taktikisht dhe ka patur një ndikim të madh te pozicioni i portierit”, ka thënë Barthez.
“Tashmë portierët janë identikë, luajnë të gjithë në të njëjtën mënyrë, reagojnë në të njëjtën mënyrë. Sot, një portier duhet të jetë 192 cm i gjatë, të mbulojë hapësirë në portë dhe të jetë i aftë me këmbë.
“Ka shumë portierë që e interpretojnë në mënyrë pasive rolin, duke pritur që topi të shkojë tek ata. Më pas ka një fiksim për lojën me këmbë dhe pasimet e shkurtra. Ok, ka rëndësi, por një portier nuk është një numër 10. Një portier nuk është një mesfushor, nëse gabon me këmbë do të pësojë gol 9 herë nga 10. Është absurde ajo që po ndodh me portierët sot”.
DONNARUMMA – Rasti i fundit i ngjashëm, sipas Barthez, ka qenë episodi që ka patur për protagonist Donnarumma-n në Champions League në ndeshjen e PSG-së së tij kundër Real Madrid.
“E adhuroj Donnarumma-n. E ndjek prej kohësh dhe mendoj se ai ishte një faull i Benzema-së dhe jo një gabim i tij. Më pas nuk e kuptoj konkurrencën te PSG me Navas. Pse? Ajo që ka ndodhur me Real-in është pasojë e asaj konkurrence idiote.
“PSG e ka marrë Donnarumma-n, kampion i Europës dhe në formë super dhe më pas e ka vënë në garë me Navas? Çfarë duhet të mendojnë lojtarët e ekipit? E përsëris, ajo që ka ndodhur me Real-in është pasojë e kësaj situate”.