Banorët e Iziumit janë ende të traumatizuar pas pushtimit gjashtë mujor të qytetit nga forcat ruse. Megjithëse qyteti u rimor nga forcat ukrainase pas një kundërofensive të befasishme, ai është i shkatërruar dhe jeta është e vështirë përpara dimrit që po afron.
Iziumi, në Ukrainën e largët lindore, ishte ndër qytetet e para të pushtuara nga forcat ruse pas fillimit të luftës më 24 shkurt dhe u bë një qendër komande për forcat ruse.
Në fillim të marsit, qyteti ishte pothuajse plotësisht i izoluar – pa telefona celularë, pa ngrohje dhe energji. Banorët nuk e dinin se çfarë po ndodhte në luftë, nëse të afërmit e tyre ishin gjallë, nëse Ukraina ende ekzistonte.
Iziumi u rimor në një kundërofensivë ukrainase më 10 shtator, por më shumë se një javë më vonë banorët po mëkëmben ende nga konfuzioni dhe trauma e pushtimit gjashtëmujor.
Shkolla e qytetit është shkatërruar. Ajo shërbeu për gjashtë muaj si bazë për ushtrinë ruse dhe si ofiçinë.
Vitet e arsimit të të rinjve të Iziumit në këtë shkollë kanë mbaruar, por ajo ka diçka të vyer për t’u ofruar banorëve – drutë e bankave, dërrasat, mobiljet dhe trarët e shkollës.
Do të kalojnë muaj, apo më shumë, përpara se Iziumi të ketë energji elektrike, gaz dhe ujë të rrjedhshëm, dhe i ftohti tashmë ka filluar.
“Nuk kemi asgjë. Ne marrim dru për të ngrohur ujë për çaj dhe për të gatuar. Shikoni duart e mia! Unë jam 75 vjeç dhe kjo grua është edhe më e moshuar se unë. Kemi frikë nga dimri”, thotë Oleksandra Lysenko duke qëndruar në një grumbull me tulla.
Por pritshmëritë u rritën kur filloi një formë më elementare komunikimi.
Në kohën kur kamioni i postës u parkua në një treg të mbyllur, më shumë se njëqind njerëz ishin duke pritur për dërgesën e parë postare që nga shkurti.
“Nëse posta funksionon, kjo do të thotë se jeta po përmirësohet. Ne do të jetojmë dhe do të shpresojmë për më të mirën,” tha 69-vjeçari Volodymyr Olyzarenko. Ai tashmë e dinte se çfarë përmbante kutia e dërguar nga fëmijët e tij të rritur: rroba të ngrohta për vëllain e tij.
Por do të vijnë ditë të vështira.
Një varr me qindra trupa u zbulua javën e kaluar në një pyll në periferi të qytetit dhe hetuesit po zhvarrosin trupat për të filluar punën e zymtë të identifikimit.
Presidenti Volodymyr Zelenskyy ka thënë se varreza përmban më shumë se 440 trupa./VOA