Balluku: Shqipëria ka filluar procesin e negociatave në bazë merite

Zëvendëskryeministrja e Shqipërisë, Belinda Balluku dhe i ngarkuari me Punë i Delegacionit të Bashkimit Evropian (BE) në Shqipëri, Luigi Soreca, kanë mbajtur një konferencë për mediat mbi prezantimin e raportit të Komisionit Evropian për Shqipërinë 2023, raporton Anadolu.

Balluku gjatë fjalës së saj u shpreh se Shqipëria ka filluar procesin e negociatave në bazë merite.

Ajo u shpreh se Qeveria e Shqipërisë është e angazhuar plotësisht për të çuar përpara agjendën e reformave në lidhje me integrimin në BE, duke synuar arritjen e rezultateve të prekshme që konvergojnë Shqipërinë me vendet anëtare të BE-së.

“Me kënaqësi të madhe konstatojmë se ky është Progres Raporti më pozitiv që është hartuar ndonjëherë për vendin tonë dhe që përfaqëson në mënyrë të drejtpërdrejt ecurinë shumë të mirë të reformave të thella që ne kemi ndërmarrë dhe rezultatet e tyre konkrete në forcimin e shtetit të së drejtës, luftës kundër krimit të organizuar dhe sundimit të ligjit”, u shpreh Balluku.

Soreca, nga ana tjetër, ka theksuar se ky është një moment vendimtar në rrugën e Shqipërisë drejt BE-së për të “treguar lidership dhe për të demonstruar angazhim të qartë për të avancuar me shpejtësi reformat e kërkuara”.

Sipas gjetjeve kryesore të raportit, Shqipëria mbetet mesatarisht e përgatitur në fushën e administratës publike, ndërkohë thuhet se strategjitë e reja për reformën e administratës publike dhe reformën e menaxhimit të financave publike ende nuk janë përgatitur dhe miratuar.

Më tej thuhet, se Shqipëria ka një nivel mesatar përgatitjeje për funksionimin e gjyqësorit dhe theksohet se zbatimi i reformës në drejtësi ka vazhduar, duke rezultuar me një progres të mirë në përgjithësi.

Gjithashtu thuhet se Shqipëria ka njëfarë niveli përgatitjeje në luftën kundër krimit të organizuar, me një nivel të mirë e të vazhdueshëm bashkëpunimi me shtetet anëtare të BE-së dhe me agjencitë e BE-së.

Ndër të tjera, thuhet se Shqipëria ka kontribuar për menaxhimin e flukseve të përziera të migracionit drejt BE-së.





Story i mëparshëm

Erdoğan-Raisi: Ndalimi i sulmeve të Izraelit në Gaza do të promovonte paqen në rajon dhe botë

Story i radhës

FDA miraton ilaçin e dobësimit, humbet deri në 23 kilogramë!

Të fundit nga