Ndeshja derbi e xhiros së 14-të në Superligën e Kosovës ndërmjet Ballkanit dhe Prishtinës e cila ishte planifikuar të zhvillohej një muaj më parë, do të luhet këtë të diele. Federata e Futbollit të Kosovës kishte vendosur për shtyrjen e saj për shkak të angazhimeve të Ballkanit në Ligën e Konferencës.
Te skuadra e Prishtinës, përgatitjet për këtë sfidë janë zhvilluar me përkushtim maksimal dhe motivi i trajnerit Ismet Munishi dhe lojtarëve është në nivelin më të lartë të mundshëm.
Munishi thotë se skuadra është në një formë të mirë, cilësia në grup po rritet nga dita në ditë, ndërsa sfidën me Ballkanin po e presin me mjaftë optimizëm.
Munishi: Jemi shumë optimistë para ndeshjes me Ballkanin
“Ne kemi ngritje të formës, kemi ngritje dukshëm të formës sepse siç dihet ne jemi skuadër që jemi formuar gati krejt nga fillimi dhe veç kanë filluar lojtarët ta njohin më shumë njëri-tjetrin, plus forma edhe individuale tek disa lojtarë ka ngritje kështu që jemi jashtëzakonisht të kënaqur. Sfidën me Ballkanin e presim me shumë optimizëm edhe do të përgatitemi për këtë ndeshje në mënyrën më të mirë të mundshme”, tha Munishi.
Ai shton se Prishtina do të jetë skuadra e cila nuk do t’i lë rehat ekipet të cilat po konsiderohen si favorite në luftën për titullin kampion.
Munishi: Prishtina nuk do t’i lë rehat favoritët për titull
“Në rast të tri rezultateve ne nuk do t’i lëmë rehat deri në fund këto skuadrat që janë lartë. Normalisht që mirë do të ishte një fitore por gjithsesi kemi të bëjmë me një kundërshtar që është shumë i fortë… Do të përgatitemi në mënyrën më të mirë të mundshme për një sfidë e cila është një derbi i vërtetë edhe me të vërtetë përballen dy skuadra të mira”, theksoi Munishi.
Kapiteni i Prishtinës, Gledi Mici thotë se është i vetëdijshëm për cilësitë që ka skuadra e Ballkanit, por shton se një fitore ndaj tyre do t’i rriste ambiciet e klubit edhe pse pranon se lufta për titull është një mision i vështirë për Prishtinën.
Mici: Ndeshja me Ballkanin nuk është finale
“Siç po shihet forma e skuadrës është shumë e mirë, atmosfera është jashtëzakonisht e mirë, po shkojmë mirë më njëri-tjetrin, kur fiton çdo gjë shkon super. Është një ndeshje e radhës, ka shumë ndeshje në kampionat, nuk është se është finalja dhe mbaron kampionati por dihet që ky është një derbi, dihet cilësia që ka skuadra e Ballkanit… Patjetër, në qoftë se fitojmë me Ballkanin, Prishtina gjithmonë që në fillim të kampionatit i ka pasur ambiciet për titull, por është tjetër punë që ne jemi krijuar grup i ri dhe është pak e vështirë që të luftosh që në vitin e parë për titull”, tha Mici.
Ndërsa portieri i Prishtinës Ardit Nika e thotë hapur se udhëtojnë në Suharekë me qëllimin e vetëm për ta mposhtur kampionin në fuqi.
Nika: Shkojmë në Suharekë për ta mposhtur Ballkanin
“Ekipi ka pushuar mirë dhe jemi duke u përgatitur në maksimum për ndeshjen e radhës… Jo vetëm me Ballkanin por me çdo ekip tjetër çdo fitore është më shumë se gjithçka. Kështu që ne luajmë vetëm për fitore dhe besoj që shkojmë për të fituar atje dhe shpresojmë që t’ia dalim siç është më së miri… Është më e vështirë se vitet e kaluara, ekipet janë të stabilizuara mirë dhe çdo lojë është e vështirë, nuk ka lojë të lehtë”, ka thënë gardiani i Prishtinës.
Ballafaqimi ndërmjet Ballkanit dhe Prishtinës do të zhvillohet në stadiumin e qytetit në Suharekë nesër me fillim nga ora 13:00.