Ballkani i hapur synon zhbërjen e Kosovës

June 9, 2022
min lexim

Cirku në relacionin Beograd – Tiranë – Shkup dje përmbylli shfaqjen e radhës. Kosova mungoi dhe bëri mirë që nuk u bë pjesë e këtij cirku të quajtur Ballkani i Hapur. Ky projekt tinëzar dhe aleancë e Beogradit dhe Tiranës nuk mund të elaborohet pa analizimin e zhvillimeve që i kishin paraprirë.

Ishte Procesi i Berlinit në vitin 2014 që supozohej si fazë kalimtare dhe përgatitore e integrimit të vendeve të kësaj pjese të Ballkanit në Bashkimin Evropian. Ai synonte miratimin e normave dhe standardeve të Bashkimit Evropian, modernizimin dhe fuqizimin e ekonomive dhe ndërlidhjen e tyre në shumë segmente. Një nga qëllimet ishte edhe Tregu i Përbashkët Rajonal, por mbi parimet e BE-së. Mbi të gjitha Procesi i Berlinit parashihte gjashtë subjekte të barabarta shtetërore. Ai ishte nënshkruar nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor (edhe Kosova), por pastaj është minuar nga Serbia.

Pse?

Sepse Procesi i Berlinit në themel ka barazinë e gjashtë shteteve anëtare dhe drejtpërdrejtë ose tërthorazi njohjen e shumë segmenteve të shtetësisë së Kosovës. Për të shmangur obligimet që dilnin nga Procesi i Berlinit dhe që kryesisht kishin të bënin me Kosovën, presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq në bashkëpunim me Edi Ramen dhe Zoran Zaevin, projektuan fillimisht Mini – Shengenin dhe pastaj Ballkanin e Hapur. Përmes këtij manovrimi, presidenti serb arriti të relativizoj përgjegjësinë e Serbisë për minimin e Procesit të Berlinit.

Aktualisht Ballkani i Hapur ka disa qëllime: izolimin deri në ndarje të Kosovës , reinkarnimin e sherreve dhe politikave të vjetra “Ballkani – ballkanasve” dhe margjinalizimin e rolit të Perëndimit në këtë hapësirë (Vuçiq dje në Ohër: “Ballkani duhet t’u takoj popujve ballkanikë dhe këtë fuqitë e mëdha kurrë nuk e kanë lejuar”).

Këto ide dhe projekte nuk mund të realizohen pa bashkëpunimin e Beogradit me Tiranën. Në këtë kontekst dhe kohë më parë kryetarja e Komitetit të Helsinkit, Sonja Biserko kishte deklaruar: “Beogradi gjatë gjithë kohës kishte kërkuar partner në Tiranë dhe në fund e ka gjetur atë – është kryeministri i Shqipërisë Edi Rama. Bisedimet për ndarjen e Kosovës filluan në vitin 2016 kur Edi Rama ishte në Nish. Ideja për ndarjen vjen nga Beogradi – ajo ka qenë në qarkullim, në tavolinë dhe nën tavolinë”.

Projektet për ndarjen e Kosovës dhe Ballkani i Hapur kanë bashkëjetuar paralelisht, për t’u nxjerrë në publik, herë njëra dhe herë tjetra, varësisht nga rrethanat ndërkombëtare dhe janë mbështetur fuqishëm nga Rusia (Seregej Lavrov këtë fakt e vulosi pak ditë më parë).

Por, pse i duhet Rusisë ndarja e Kosovës dhe Ballkani i Hapur?

Mbase për të përligjur veprime të tilla në vendet fqinje, që dikur ishin pjesë e Bashkimit Sovjetik. Nëse Perëndimi do të miratonte ndarjen e Kosovës, Moska sot do të dispononte argumentin më të fuqishëm për ndarjen e Ukrainës, gjithnjë sipas modelit (precedentit) të Kosovës. Ballkani i Hapur ka të njëjtin funksion – model i ardhshëm për “Botën ruse”.

Ballkani i Hapur aktualisht është kompensim për pamundësinë e ndarjes së Kosovës dhe në esencë instrument, që i prezantuar si angazhim për bashkëpunim rajonal, synim të fundit ka dominimin ekonomikë dhe gjeopolitikë të Serbisë dhe zhbërjen e Kosovës si entitet shtetëror.

Në këto rrethana Ballkani i Hapur përfundimisht ka varrosur mundësinë e çfarëdo marrëveshje për njohje reciproke Kosovë – Serbi. Ajo nuk mund të jetësohet me politikanët e formatit Vuçiq – Vulin, që nuk kursehen madje as nga kualifikimet pezhorative për kosovarët në faqet zyrtare të ministrive të Republikës së Serbisë.

Ajo marrëveshje historike do të bëhet më vonë, përkatësisht atëherë kur në Beograd do të vijnë demokratët dhe patriotët e vërtetë serbë, të formatit të Natasha Kandiqit, Sonja Biserkos, Zoran Xhingjiqit, Ivan Gjuriqit, Bogdan Bogdanoviqit, Nenad Çanakut, Sllavko Çuruvisë… Deri atëherë Kosova mund dhe duhet të jetojë dhe zhvillohet pa njohjen e Serbisë.

Ata që mendojnë se Kosova mund të humbasë për faktin që refuzon Ballkanin e Hapur dhe konfrontohet me Tiranën dhe Beogradin janë të lajthitur. Kosova me këtë veprim dëshmon dhe forcon identitetin shtetëror, sepse dërgon mesazhin se nuk ka qenë, nuk është dhe kurrë nuk do të jetë patericë e Tiranës. Ose si do të thoshte analisti kroat Davor Gjenero për zhvillimet e viteve 1990 – 1999 dhe më vonë: “Fakti që kosovarët krijuan strukturë nacionale, që në raport me Shqipërinë i gjason raportit të Austrisë me Gjermaninë (bashkësi gjuhësore, por kulturë shoqërore dhe politike që kushtëzon ekzistimin e bashkësive të veçanta nacionale) ka bërë që bota e lirë të njohë pavarësinë e Kosovës si fakt politik”.

Aleanca e regjimeve të korruptuara në Tiranë dhe Beograd nuk kanë as forcën dhe as kredibilitetin për të gëlltitur dhe zhbërë Kosovën.

Një mik i imi do të thoshte: ata (kosovarët) dinë t’i dalin zot shtetit që e bënë vetë, me gjakun e tyre, pas shumë tradhtive historike!

GAZETA.MK

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Chelsea vendos kushtet e rikthimit të tij në Milano

Story i radhës

TikTok lançon mjete për kufizimin e përdorimit të aplikacionit

Të fundit nga

ShkoLartë