Bakoyannis ia kujton Vuçiqit negociatat për kufijtë me Thaçin: E ke pranuar vetë ekzistencën e dy shteteve

min lexim

Deputetja greke, Dora Bakoyannis e mori fjalën e para në Asamblenë Parlamentare më 16 prill për ta arsyetuar raportin e përpiluar nga ajo i cili rekomandon anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Në një opinion për të përjavshmen serbe, Radar, Bakoyannis ka shkruar për sulmet që iu bënë asaj nga lidershipi në Beograd për shkak të raportit pozitiv për Kosovën.

Ajo i përgjigjet në shkrim presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, të cilit ia kujton se si me negociatat për “korrigjimet e kufijve” mes Kosovës dhe Serbisë, të cilat presupozonin ekzistencën e dy shteteve.

“Në vitin 2018, në Forumin Evropian Alpbach në Austri, presidenti Vuçiq pranoi publikisht se kishte negociuar ‘korrigjimet e kufijve’ mes Serbisë dhe Kosovës, me ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi. Pavarësisht se negociatat për kufijtë presupozojnë ekzistencën e dy shteteve (nëse jo, atëherë me kë po negocioni?), të cilën unë e kundërshtoj, këtë e konsiderova si një akt trimërie nga ana e presidentit Vuçiq, jo një akt të tradhtisë”, shkruan ajo.

Kur Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës e emëroi si Raportuese për kërkesën e Komitetit të Ministrave për opinionin e Asamblesë për aplikimin e Kosovës, Bakoyannis thotë se “të gjithë ishin në dijeni të lidhjeve të mia të veçanta me Serbinë dhe popullin serb”.

“Jo vetëm sepse përfaqësoj një shtet anëtar që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës*, por edhe për shkak të punës sime për Integrimin Europian të Serbisë”, shton ajo.

Ajo shkruan se “Serbia i përket Europës”, por thekson se “në vitet e fundit, perspektiva e integrimit europian të Serbisë është larguar”.

“Në të njëjtën kohë, për të gjithë ne që ëndërrojmë për një Serbi të begatë europiane, lidhjet gjithnjë e më të ngushta me Rusinë dhe Kinën, incidentet e fundit të joliberalizmit dhe rastet e përsëritura të retorikës anti-BE në diskursin politik shkaktojnë shqetësim të madh”, shkruan Bakoyannis.

Story i mëparshëm

Hyn në fuqi ndalimi i aborteve pas gjashtë javëve shtatzëni në Florida

Story i radhës

“Mjaft! Po punojmë për gjevrek dhe ujë”, punëtorët kërkojnë paga më të larta dhe pagesë të ushqimit dhe transporti

Të fundit nga