Familja Jashari, tanimë është familja e gjithë shqiptarëve. Është simboli i dhimbjes dhe mllefit, guximit dhe trimërisë, e përpjekjeve këmbëngulëse dhe sakrificës së pareshtur të shqiptarëve për liri dhe bashkim kombëtar. E ju baci Rifat, jeni qytetar nderi i çdo qyteti shqiptar, pa marrë parasysh kufijtë që na vunë serbët në mes nesh, për të na ndarë.
Ndaj na befasuat Baci Rifat, se pse ju duhej ajo copë letre që ju shpallte qytetar nderi të Tetovës, e lëshuar nga kryetari i komunës së Tetovës, dhe duartrokitur nga naivë, hipokritë, servilë, tregtarë të fatkeqësisë së shqiptarëve, aktorë të dobët të një teatri të neveritshëm. Na befasuat të gjithë neve, që e dimë se ajo copë letre, ai teatër i shëmtuar, nuk ju duhej fare juve, por u duhej shumë atyre që e përgatitën atë. U duhej mercenarëve politikë shqiptarë, që sytë i kanë nga Beogradi dhe Stambolli, të shitur herë te njëra, e herë te tjetra parti sllave në pushtet, për të parazituar mbi gjakun e derdhur të familjes Jashari. U duhej atyre që nuk sakrifikuan kurrë në jetën e tyre, as të zezën e thoit, por përkundrazi përfituan dhe po pasurohen akoma nga fatkeqësia e shqiptarëve. U duhej atyre që erdhën dhe qëndrojnë në pushtet për privilegje, me pëlqimin dhe ndihmën e vrasësve, të njëjtë me ata që vranë familjen Jashari. Të vrasësve të njëjtë, që gjatë luftës së 2001, granatuan dhe vranë në shtëpinë e tyre në fshatin Sllupçan, 10 anëtarë të familjes Zymberi, mes tyre edhe disa fëmijë. Vrasësve të njëjtë, që edhe pas instalimit së sistemit demokratik, pluralist, vranë dhjetëra shqiptarë, vetëm sepse kërkonin të drejtën për flamur, gjuhë, arsim dhe jetë më të mirë për fëmijët e tyre. U duhej baci Rifat, emri dhe sakrifica e familjes Jashari, për të përligjur krimet dhe tradhtinë që u bëjnë gjatë gjithë kohës interesave të shqiptarëve në ish IRJM, duke votuar ligje dhe ndryshime të kushtetutës, ku shqiptarët vazhdojnë të ngelen pakicë e nëpërkëmbur
Dhe na erdhi rëndë baci Rifat, që nipi juaj, djali i Adem Jasharit, Flamur Jashari, i ndoti duart e tij, duke i shtrënguar me ata që sapo kishin shtrënguar duart me liderin e VMRO-së. I cili, pak ditë më parë, ju quajti ju dhe ne “agresorë nga veriu dhe perëndimi”, të shtetit “të tij – Maqedonisë”. Na erdhi rëndë baci Rifat, që nipi juaj Flamuri, nuk reagoi kur luftën e Adem dhe Hamëz Jasharit, dhe sakrificën e familjes Jashari për liri dhe bashkim kombëtar, kryetari i komunës së Tetovës e paraqiti si një luftë krahinore, vetëm për “lirinë e Kosovës”. Sepse ata baci Rifat, nuk duan të bashkohemi me ju. Ata nuk e duan bashkimin e shqiptarëve në një shtet, sepse e kanë dhënë “besën” në Stamboll e Beograd për ta luftuar atë. Ndaj dhe “harrojnë” se Tetova, para se partizanët serbë ta bënin “Maqedoni”, bashkë me Prekazin, ishin Shqipëri!
Ju dhe familja juaj, baci Rifat, dhatë shumë, shumë për kombin. Por, ne kemi akoma nevojë për ju. Pikërisht tani kemi nevojë akoma më shumë për ju, për ta ruajtur të paprekur, të pandotur kullën e Jasharajve, simbolin e luftës së pastër, gjakut të derdhur dhe sakrificave të pareshtura të shqiptarëve për liri dhe bashkim kombëtar. Ne kemi akoma nevojë për këmbënguljen, guximin dhe trimërinë e familjes Jashari, për ta mbrojtur kullën e Jasharajve si garanci e rrugës së drejtë dhe e shpresës për zgjidhjen e drejtë të çështjes kombëtare të shqiptarëve.
Dhe këtë mund ta bëni më së miri duke qëndruar në kullë, dhe duke e mbrojtur atë nga servilët, hienat dhe të shiturit. Sepse, baci Rifat, lufta nuk ka përfunduar!