Me shtatë-tetor 2001 babai e kishte pasur një atak në zemër, qysh herët, para agimit, këtë e kuptuam pak para mbrëmjes, atë ditë kur edhe ndërroi jetë, pas një kontrolle te mjeku i zemrës në shoqërinë e shokut më të mirë dhe djalit të axhës së tij, Ilaz Dajakut, të cilit i kishte vdekur në krah, tek po ktheheshin pas atij kontrolli mjekësor!
Po atë ditë, kah mesi i ditës, gjatë ndejës, ku i pranishëm ishte edhe Ilaz Dajaku, më bëri një pyetje të drejtpërdrejt, duke mu drejtuar si rrallë më parë, dhe m’i nguli sytë sikur unë mund t’i jepja një përgjigje të saktë ose një përgjigje që mund t’ia shëroja zemrën nga ajo parandjenjë.
– Çka po thua ti, a i vrasin këta përcjellësit e Rugovës?!!!…
Dhe nuk m’i ndante sytë, e priste që t’ia jepja një mendim timin, edhe pse e dinte se s’kisha kurrfarë dijenie për këtë, por kërkonte të dëgjonte një mendim pozitiv, ndoshta për t’u qetësuar, kurse ai e parandjeu më shumë se kurrë kobin që po përgatitej të ndodhte!… Dhe kur se?!… M’u në ditën që po udhëtonte për në botën tjetër.
Ishte ulur këmbëkryq, poshtë në tepih, i mbështetur për kauçi, duke thithur cigaren aq shumë saqë, nganjëherë, më dukej se e përpinte sikur nuk i mjaftonte vetëm ta thithte atë!
Unë i zënë ngushtë nga ajo pyetje që atë e brente përgjatë gjithë kohës dhe ndoshta ia hante mushkëritë bashkë me tymin e duhanit, sepse ai, kur shqetësohej, shqetësohej shumë dhe shqetësimi i tij gjithmonë ishte serioz. Dhe nga kjo jetë u nda i shqetësuar duke mos e vërejtur as vdekjen e vet!….
Po çka është edhe më e çuditshme, njëjtë më shikonte edhe Ilazi, djali i axhës së babait, që ishte më i madh në moshë se babai, jo shumë. Ilazi kishte ardhur nga Mitrovica atë pasdite të 7 tetorit, për ta vizituar babain dhe qëndronte ulur në kauç, këmbën mbi këmbë e mbante siç e kishte edhe zakon, dhe qëndronin fare pranë njëri-tjetrit, njëri në kauç tjetri në tepih e unë përballë tyre, duke u menduar ta gjeja një përgjigje që nuk e dija, sidomos në atë kohë që ishte, si thonë, kohë e pa kohë!…
– Jo, basan!.. “Basan” e thërrisnim ne fëmijët e tij… – Jo, se,… nëse ata (ata të cilët vrisnin pas luftës, ndoshta edhe gjatë luftës, sigurisht vrasje enigmatike) janë të interesuar ta vrasin Rugoven, nuk kanë kohë të merren me truprojat e tij, sepse, nëse merren me truprojat, nuk do e arrijnë qëllimin e tyre, atë të cilin e shohin si pengesë të vetme për ta kapur pushtetin!…
Gënjeva pak! Gënjeva me qëllim për ta qetësuar babain, por e gënjeva edhe veten, dhe vërtetë ashtu mendova se është, dhe thashë me vete se s’mund të jetë ndryshe.
Ai u lehtësua, mori frymë thellë dhe e lëkundi këmbëkryqin, i shtriu këmbët që t’i largohet edhe më shumë shqetësimi. Kushëriri Ilaz, e pohoi atë që e thashë dhe u mashtruam tre veta aty për aty, por ia vlejti se pas dy – tri ore më vonë ndërroi jetë babai gjatë rrugës, duke u kthyer nga mjeku i zemrës, me një lehtësim shpirtëror që mund t’ia ketë bërë ai, mendimi im fare i pa saktë.
Ai iku me mendimin e gabuar që ia dhashë, ndoshta pak i lehtësuar, e unë mbeta me pyetjen dhe parandjenjën e tij që ndodhi trembëdhjetë ditë pas vdekjes së tij.
….. eh, more, i dashuri BASAN, ishe i pa shoq, kah shkel këmba e pastër e kah rreh zemra e pastër e kah gjykon mendja e pastër.
Pyetja jote, përgjigjja ime dhe e vërteta më janë kryqëzuar në zemër që atëherë!….