Një gjykatë në Mbretërinë e Bashkuar ka vendosur që Mitch Winehouse, babai i këngëtares së ndjerë Amy Winehouse, t’u paguajë rreth 950 mijë paund (rreth 1,1 milion euro) dy mikeve të vajzës së tij, pasi humbi procesin gjyqësor që kishte ngritur kundër tyre.
Mitch Winehouse kishte paditur Naomi Parry, ish-stiliste e Amy Ëinehouse, dhe Catriona Gourley, një mike e ngushtë e këngëtares, duke i akuzuar se kishin shitur pa autorizim dhe pa dijeninë e tij rreth 150 veshje dhe sende personale të artistes në periudhën nga nëntori 2021 deri në maj 2023.
Mes objekteve të nxjerra në ankand ishin çanta, këpucë balerina, një fustan i veshur nga Amy Winehouse gjatë turneut të saj të fundit në qershor 2011, si edhe vathë e bizhuteri të tjera. Ankandi gjeneroi rreth 1,4 milionë dollarë (afërsisht 1,2 milionë euro).
Megjithatë, gjyqtarja Sarah Clarke vendosi në favor të dy grave, duke arritur në përfundimin se ato nuk e kishin fshehur shitjen dhe se Mitch Winehouse kishte qenë në dijeni të ankandit.
Burimi: botasot.info


