Mbledhja e sotme e Këshillit të Sigurimit është një hap tjetër në ndërtimin e një konsensusi kombëtar në mbështetje të biznesit, sipas kryetarit të Odës Ekonomike të Maqedonisë së Veriut, Branko Azeski.
Sipas Azeskit, rritja enorme e çmimit të rrymës, por edhe të energjive tjera si komponentë kyçe në çmimin e prodhimit, është çështje me prioritet të lartë për sektorin afarist.
Ajo çështje, përkujton Azeski, është hapur që nga shtatori i vitit 2021 nga Oda dhe për një periudhë të caktuar nuk ka kompani që nuk e vendos në mesin e problemeve prioritare që kërkojnë zgjidhje të menjëhershme.
“Javën e kaluar më në fund ndodhi kthesa e nevojshme e organeve kompetente drejt trajtimit të kësaj çështjeje të rëndësishme. Qeveria është e përkushtuar të mbështesë sa më shumë kompanitë. Në Odë është mbajtur një takim i rëndësishëm me EVN-në për problemet e instalimit të termocentraleve fotovoltaike. Përfaqësues nga OBRM-PDUKM-ja të hënën do të vijnë në Odë për takim me kompanitë, po ashtu me qëllim që të ndihmojnë në zgjidhjen e këtyre problemeve. Në këtë drejtim, disa nga vendimet janë dakorduar dje në Sofje në kuadër të vizitës zyrtare të kryeministrit Dimitar Kovaçevski”, thekson Azeski.
Ai kujton se dje në Sofje në takimin e kryeministrit Dimitar Kovaçevski me kolegun e tij bullgar Galab Donev u ra dakord që Bullgaria të dërgojë 200 megavat orë energji elektrike nga fillimi i tetorit deri në fund të marsit të vitit të ardhshëm me çmim më të lirë për ekonominë, për të zbutur krizën energjetike në Maqedoninë e Veriut, e cila do të sigurojë furnizim të pandërprerë me energji elektrike për industrinë, që është një nga kërkesat kryesore të Odës Ekonomike të Maqedonisë së Veriut.
“Mbledhja e sotme e Këshillit të Sigurimit është një hap tjetër në ndërtimin e një konsensusi kombëtar në mbështetje të biznesit, i cili është baza mbi të cilën mbështeten të gjitha gjërat e tjera në vend, dhe përveç kësaj, është i vetmi ind lidhës në të gjitha sektorët tjerë në vendin tonë”, thekson Azeski.
Kujtojmë se që nga data 1 shtator janë në fuqi edhe masat shtetërore për kursimin e energjisë elektrike nëpër institucionet e vendit.