Autoriteti i Konkurrencës kërkon më shumë kohë për të vlerësuar shitjen e ONE

min lexim

Autoriteti i Konkurrencës ka bërë të ditur se do të kërkojë më shumë kohë dhe kryerjen e një procedure vlerësimi të thelluar, lidhur me transaksionin e shitjes së operatorit celular ONE te kompania hungareze 4iG.

Në mbledhjen e datës 31 janar, bazuar në analizën e konkurrencës, Komisioni i Konkurrencës vlerësoi se transaksioni i njoftuar përbën një përqendrim horizontal, i cili mund të krijojë pozitë dominuese të palëve në marrëveshje dhe mund të sjellë mbivendosje të aktiviteteve të tyre në nivel kombëtar.

Shoqëria 4iG sapo ka hyrë në tregun e komunikimeve elektronike në Shqipëri, pas mbylljes së marrëveshjes për përftimin e kontrollit nëpërmjet blerjes së 80.27% të aksioneve të shoqërisë Albtelecom.

Ky transaksion u autorizua nga Autoriteti i Konkurrencës, por nuk ka marrë ende miratimin zyrtar nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare. Nëpërmjet transaksionit të ri të njoftuar, shoqëria 4iG synon të marrë kontrollin e një konkurrenti tjetër në këtë treg, One Telecommunications (nëpërmjet blerjes së aksionerit, shoqërisë holding Albania Telecom Invest).

Ky transaksion do të shkaktojë ndikim të konsiderueshëm në tregun e komunikimeve celulare në Shqipëri, duke e ulur numrin e operatorëve nga tre në dy, për herë të parë që nga viti 2008. Gjithashtu, bashkimi i Albtelecom dhe ONE nën kontrollin e 4iG do të krijonte operatorin më të madh në këtë treg për nga numri i përdoruesve. Në fund të 9-mujorit 2021, ONE dhe Albtelecom zotëronin gjithsej 57% të numrit të përgjithshëm të përdoruesve aktivë të telefonisë ceulare.

Lidhur me vlerësimin e peshës së tregut sipas të ardhurave nga komunikimet elektronike, të dhënat më të fundit të disponueshme janë ato të vitit 2020. Të marra së bashku, të ardhurat e ONE dhe të ardhura e Albtelecom nga shërbimet celulare arritën në 11.2 miliardë lekë ose rreth 47% të volumit të përgjithshëm të tregut cellular në Shqipëri.

Kjo tregon se, të paktën me të dhënat e vitit 2020, Vodafone Albania do të rezultonte ende operatori më i madh për nga xhiroja, por tregu do të ishte më i balancuar dhe më i përqendruar. Treguesi që përdoret zakonisht për të matur shkallën e përqendrimit të tregjeve është indeksi HHI, që ndërtohet si shuma e pjesës së tregut, të ngritur në fuqi të dytë, të secilës firmë.

Zakonisht, pragu poshtë të cilit një treg pranohet si konkurrues është 1500. Në intervalin mes 1500 dhe 2500 tregu vlerësohet me përqendrim të moderuar, ndërsa një shkallë mbi 2500 tregon përqendrim të lartë. Megjithatë, për tregjet e telefonisë celulare nivelet më të larta të përqendrimit pranohen si normale.

Këto tregje klasifikohen si oligopole natyrore dhe përgjithësisht ato kanë numër operatorësh më të ulët dhe shkallë përqendrimi më të lartë krahasuar me tregjet e tjera, ku nuk ekzistojnë barriera të mëdha hyrëse. Me të dhënat e vitit 2020, përqendrimi i tregut sipas xhiros ishte mjaft i lartë, në nivelin 3900. Po të bashkojmë xhirot e ONE dhe Albtelecom, ky përqendrim do të rezultonte edhe më i lartë, sipër nivelit 5000.

Rikthimi i tregut të telefonisë celulare në një duopol në teori do të krijonte shqetësim për shkallën e konkurrueshmërisë dhe për interesin konsumator. Shqiptarët vuajtën çmime të larta të telefonisë nga një strukturë e tillë tregu, sidomos në periudhën 2001-2006, edhe për shkak të mungesës së rolit të rregullatorit të tregut. Në vitin 2006, enti i atëhershëm rregullator ndërhyri duke rregulluar tarifat me pakicë, por shtysën e mirëfilltë konkurrenca e mori vetëm me hyrjen në treg të oeratorit të tretë dhe të katërt.

Megjithatë, në vitet e fundit procesi i konsolidimit dhe përqendrimit në tregjet celulare nuk është i pazakontë dhe një tendencë e tillë është shfaqur edhe në vende të tjera. Ky treg kërkon investime të mëdha në vijimësi nga operatorët, për shkak të zhvillimeve të shpejta teknologjike dhe konkurrencës.

Në një mjedis të tillë, operatorët me pjesë tregu të vogël, si Albtelecom Mobile, e kanë të vështirë të mbijetojnë dhe në fakt ky operator ka qenë me humbje që nga fillimi i aktivitetit të vet. Një nga argumentet teorikë në favor të përqendrimit të tregut mund të jetë një eficiencë më e lartë, që do të mbështeste më tej edhe një konkurrueshmëri më të madhe mes operatorëve të ngelur. Tendencë e ngjashme drejt konsolidimit është vërejtur në vitet e fundit edhe në tregun bankar, por aty numri i aktorëve në treg ngelet shumë më i lartë.

/Monitor

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Nënvarianti i ri i Omicron regjistrohet në Maqedoninë e Veriut

Story i radhës

Njeriu duke lexuar dhe dëgjuar prononcimët e ca politikanëve të Kosovës, nuk ka si të mos ndihet shumë keq

Të fundit nga