Policia ka arrestuar një 26-vjeçar në Tiranë, i cili gjatë dy muajve të fundit kishte kryer 11 vjedhje.
Gjatë këtyre rasteve, sipas policisë, i riu dyshohet se ka vjedhur sende me vlerë nëpër automjete, skutera elektrikë si dhe shuma parash apo sende të tjera.
Gjithashtu, nga kontrolli fizik i është gjetur dhe sekuestruar një sasi lënde e dyshuar narkotike kanabis, që iu gjet 26-vjeçarit gjatë kontrollit fizik.
Njoftimi i policisë:
Finalizohet nga Komisariati i Policisë Nr. 3, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 2 dhe Nr. 6, operacioni policor i koduar “Falco”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e vjedhjes së pasurisë dhe për vënien e autorëve përpara përgjegjësisë penale.
Zbardhen dhe dokumentohen 11 raste vjedhjesh dhe 1 rast vjedhjeje e mbetur në tentativë.
Arrestohet një 26-vjeçar, autor i dyshuar.
Sekuestrohet sasi lënde e dyshuar narkotike kanabis, që iu gjet 26-vjeçarit gjatë kontrollit fizik.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 2 dhe Nr. 6, në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e vjedhjes së pasurisë, si rezultat i administrimit të menjëhershëm të kallëzimeve të disa qytetarëve, për vjedhje në subjekte të ndryshme, me mbështetjen e inteligjencës policore, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Falco”.
Gjatë operacionit u arrestua shtetasi M. K., 26 vjeç, banues në Tiranë.
Nga veprimet hetimore të kryera, dyshohet se ky shtetas është autor i 11 rasteve të disa vjedhjeve të ndryshme dhe i 1 vjedhjeje të mbetur në tentativë, të kryera në Tiranë, gjatë dy muajve të fundit.
Gjatë këtyre rasteve ky shtetas dyshohet se ka vjedhur sende me vlerë nëpër automjete, skutera elektrikë si dhe shuma parash apo sende të tjera.
Materialet i kaluan Prokurorisë.
Burimi: botasot.info